Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se do të mbetet në vetizolim edhe për disa ditë, pasi “dhjetëra anëtarë të rrethit të tij të brendshëm” dolën pozitivë me koronavirus.
Putin foli përmes video-lidhjes në një konferencë të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive, që u mbajt në Dushanbe.
“Për fat të keq, më është dashur të anuloj udhëtimin tim në Dushanbe në momentin e fundit. Më vjen keq për këtë. Por, siç e dini, koronavirusi është zbuluar jo vetëm në një ose dy persona, por në disa dhjetëra njerëz të rrethit tim. Kështu që tani më duhet të qëndroj në izolim për disa ditë”, tha Putin.
Ai është futur në vetizolim qysh të mërkurën.
Italia shtrëngon masat kufizuese “Green Pass” nga 15 tetori i detyrueshëm në të gjitha vendet e punës
Më herët nuk ka qenë e qartë se sa i madh ka qenë shpërthimi dhe sa kohë do të qëndrojë Putin i izoluar.
Po ashtu nuk dihet se cili nga kontaktet e ngushta të Putinit ka rezultuar pozitiv me koronavirus, por zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u ka thënë të mërkurën gazetarëve se presidenti është “absolutisht i shëndetshëm” dhe se ka rezultuar negativ.
Putin, 68 vjeç, e ka përshkruar vetizolimin si “test” për vaksinën ruse kundër koronavirusit Sputnik V, të cilën ka thënë se e ka marrë disa muaj më parë.