UBT News

“Detektivi dhe Nana”, drama që trondit dhe nxit reflektim

Në edicionin e XII të Festivalit Summer Cult u shfaq drama “Detektivi dhe Nana”, me tekst dhe regji nga Agush Mulliqi, dhe aktorët Lorent Pacolli e Drin Berisha, ndërsa skenografia e kostumet nga Dhurim Ismaili–Dajki.

Pjesa nis me një vrasje: djali i madh vret babanë abuziv për të mbrojtur vëllain e vogël. Nëna fshin gjakun, detektivi që heton ngjarjen zbulon se ka pasur një lidhje me të. Shfaqja trajton dhunën brenda familjes, ciklin e trashëguar të saj e dilemat mes drejtësisë e hakmarrjes.

Sipas Mulliqit, qëllimi ishte t’u jepej zë atyre që janë detyruar të heshtin: fëmijëve që rriten në shtëpi të dhunshme. Publiku, përmes ngjarjes, vendoset në rolin e dëshmitarit dhe gjykatësit, duke u ballafaquar me plagë që shpesh fshihen.

Regjia e fortë, dialogjet e ngjeshura dhe loja e aktorëve sollën një përvojë të fuqishme emocionale.

Drin Berisha (djali) dhe Lorent Pacolli (detektivi) theksuan se procesi krijues, i nisur vetëm me katër faqe tekst e pa buxhet, u dha mundësinë të eksperimentonin e të mishëroheshin plotësisht me rolet.

Shfaqja u prit ngrohtësisht nga publiku, ndonëse është një dramë e rëndë që prek trauma të pazëna shpesh në skenë. “Detektivi dhe Nana” nuk ofron shpagim të lehtë, por kërkon reflektim mbi çmimin e dhunës dhe plagët që kalojnë nga një brez në tjetrin.

Përgatiti: A.Z/UBT News/

Exit mobile version