Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja përmes raportit 24-orësh lidhur me vrasjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së dielës në Gjilan, ku një person ka humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri.
Sipas raportit zyrtar të policisë, ngjarja ka ndodhur më 11 tetor 2026, rreth orës 19:32, ku i dyshuari burrë dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri viktimën burrë.
Në vendin e ngjarjes, njësitë policore kanë konfiskuar një sasi të konsiderueshme armatimi e municioni, përfshirë një pushkë gjuetie, një pushkë zjarri M48, një pistoletë, si dhe 68 fishekë e 4 gëzhoja.
I dyshuari për kryerjen e kësaj vepre penale gjendet ende në kërkim policor.
Ndërkaq, me vendim të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. Hetimet për rastin po vazhdojnë nga njësitë përkatëse. /E.A/
