UBT News

Detaje të reja nga vdekja e 26-vjeçares në Prizren: Dyshohet se gëlltiti një qese me drogë

Një 26-vjeçare ka humbur jetën tragjikisht në Prizren, pasi dyshohet se ka gëlltitur një qese me substancë narkotike pas ndalimit nga Policia.

Ngjarja ka nisur mbrëmjen e së dielës, më 15 nëntor, rreth orës 18:00, në Vërmicë, ku viktima ndodhej në një veturë së bashku me një person tjetër dhe u ndaluan nga Policia nën dyshimet për trafikim të narkotikëve. Gjatë kontrollit të automjetit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe konfiskuar 105.7 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, dy fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe dy telefona celularë.

Sipas procedurave ligjore, të dyshuarve u është caktuar avokati mbrojtës. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit mashkull i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh. Ndërkohë, 26-vjeçares i është përkeqësuar papritur gjendja shëndetësore pikërisht në momentin kur po fillonte intervistimi i saj në prani të avokatit.

Menjëherë është kërkuar ndihma e ekipit emergjent, i cili i ka dhënë trajtimin e parë mjekësor në vendin e ngjarjes dhe më pas e ka transportuar në Spitalin e Përgjithshëm Rajonal në Prizren. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, rreth orës 01:30 të mëngjesit, Policia është njoftuar se e reja kishte ndërruar jetë.

Lidhur me rastin janë njoftuar njësitë hetimore të Stacionit Policor në Prizren, Sektori Rajonal i Hetimeve, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), Forenzika dhe prokurori kujdestar, të cilët kanë dalë në vendngjarje dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbardhjen e rrethanave.

Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion. /E.A/

 

Exit mobile version