UBT News

’Det i thellë blu’ nga Terence Rattigan tërheq artdashësit në Teatrin Kombëtar

Drama “Det i thellë blu” e Terence Rattigan, në skenë nga regjisorja Rovena Lule Kuka, u shfaq mbrëmjen e sotme në Teatrin Kombëtar.

Artdashësit kryeqytetas mirëpritën performancën e shkëlqyer të aktorëve, në këtë vepër rrëqethëse që trajton dashurinë e pamundur dhe humbjen personale.

Në dramë luajnë aktorë të njohur të skenës shqiptare, përfshirë: Olta Daku, Alfred Trebicka, Igli Zarka, Neritan Liçaj, Anila Bisha, Donald Shehu, Niada Saliasi dhe Florian Agalliu.

Me një ndjeshmëri të thellë psikologjike, drama portretizon një grua të ndarë mes pasionit të njëanshëm dhe realitetit të hidhur të vetmisë.

Ester, gruaja e një gjyqtari të respektuar, braktis gjithçka për dashurinë e një piloti të ri. Por pasioni shndërrohet në dëshpërim dhe e përplas me realitetin e jetës, dashurisë dhe vetvetes.

Pas suksesit të shfaqjeve më 28, 29 dhe 30 nëntor, “Det i thellë blu” do të vijojë deri më 7 dhjetor.

Kjo vepër mbetet një nga dramat më të fuqishme të Terence Rattigan, duke ofruar një udhëtim emocional në thellësitë e shpirtit njerëzor. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version