UBT News

Dështon zgjedhja e presidentit, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme

Qytetarët e Kosovës pritet t’u drejtohen sërish kutive të votimit, për herë të pestë brenda 16 muajve të fundit, nëse përfshihen edhe dy rundet e zgjedhjeve lokale.

Të martën, në ditën e fundit të afatit kushtetues, partitë e përfaqësuara në Kuvend nuk arritën të zgjedhin presidentin. Si pasojë, bazuar në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve.

Gjatë së martës u bënë katër tentativa për zgjedhjen e presidentit. Përpjekja e parë nisi në orën 10:00 si vazhdim i seancës së një dite më parë, ndërsa seancat vijuan në orët 14:30, 19:30 dhe në fund në 23:00. Megjithatë, në asnjërën prej tyre nuk u sigurua kuorumi i nevojshëm për të proceduar me votim.

Deputetët e koalicionit qeverisës, të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, ishin të pranishëm në sallë, ndryshe nga ata të opozitës. Këta të fundit kishin paralajmëruar paraprakisht se nuk do të merrnin pjesë në votim pa një marrëveshje politike.

Kandidate për presidente ishin Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje pas tërheqjes, të hënën në mbrëmje, të Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakut. Ndryshe nga seanca e së hënës, kur pati votim për zgjedhjen e pasardhësit të Vjosa Osmanit, gjatë katër tentativave të së martës nuk u zhvillua fare proces votimi.

Në seancën e fundit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u bëri thirrje deputetëve të opozitës të rikthehen në sallë dhe të marrin pjesë në votim.

“Po presim nëse deputetët e opozitës do të vijnë dhe do të heqin dorë nga barrikadimet. Kjo është arsyeja pse vazhdimisht kam bërë thirrje që ata të jenë këtu. Këto janë minutat e fundit të kësaj legjislature dhe kjo rrugë e nisur mbarë nuk meritonte të ndërpritej”, tha Haxhiu.

Gjatë kohës së pritjes nga deputetët e shumicës, fjalën e mori ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati. Ai u bëri thirrje qytetarëve që në zgjedhjet e ardhshme të mos votojnë partitë opozitare, duke i akuzuar ato për bojkotim të Kuvendit dhe sabotim të shtetit.

“Kur këta përfaqësues të opozitës të kërkojnë vota, qytetarët duhet të pyesin veten pse t’i votojnë. Ata janë zgjedhur nga populli, por në këtë rast nuk po e përfaqësojnë atë”, deklaroi Murati.

Ai gjithashtu paralajmëroi për humbjet financiare që mund të sjellin zgjedhjet e reja.

“Përveç rreth 10 milionë eurove që kushton organizimi i zgjedhjeve, vendi rrezikon të humbasë edhe dhjetëra milionë të tjera. Kosova pritet të përfitojë 882 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së, por kjo kërkon miratimin e reformave. Pa Kuvend funksional, kjo nuk është e mundur”, shtoi ai.

Pas tij, para deputetëve foli edhe kryeministri Albin Kurti, i cili u shpreh se në zgjedhjet e ardhshme partia e tij do të rrisë mbështetjen.

“Ata e dinë që zgjedhjet nuk janë zgjidhje. Nuk duan përgjegjësi e as pushtet, por synojnë që këtë të mos e kemi as ne. Megjithatë, vendimin e merr populli i Kosovës, i cili vazhdimisht na ka mbështetur për realizimin e zotimeve dhe përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike dhe të sigurisë. Pas një qeverisjeje pesëvjeçare, mbështetja për ne është rritur dhe kështu do të vazhdojë”, tha Kurti.

Pas përfundimit të seancës, Kurti mbajti një konferencë për media së bashku me kandidaten për presidente, Feride Rushiti.

“E ndërmora këtë hap vetëm që vendi të dalë nga ngërçi politik. Udhëtimi im do të vazhdojë me organizatën joqeveritare që përfaqësoj”, deklaroi Rushiti.

Exit mobile version