UBT News

Dështon zgjedhja e anëtarëve shqiptarë në Bordin e RTK-së, asnjë kandidat nuk paraqitet në intervistë

Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) ka dështuar sërish për dy pozitat e rezervuara për komunitetin shqiptar, pasi asnjëri nga kandidatët nuk është paraqitur në fazën e intervistimit. Për rrjedhojë, konkursi për këto dy vende do të rishpallet, u bë e ditur gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës.

Kryesuesja e Komisionit ad hoc, Arbërie Nagavci, informoi deputetët se ndonëse gjashtë kandidatë shqiptarë i kishin plotësuar kriteret formale për të vazhduar garën, asnjëri prej tyre nuk kishte marrë pjesë në intervistim. Sipas saj, njëri kandidat kishte njoftuar se ndodhej jashtë vendit, ndërsa pesë të tjerët thjesht nuk ishin paraqitur.

Kjo situatë nxiti reagime të ashpra nga deputetët e partive opozitare. Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, theksoi se kandidatët nuk kishin dështuar në plotësimin e kritereve, por kishin zgjedhur të tërhiqeshin nga gara. Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, sqaroi se njëri prej kandidatëve kishte kërkuar që intervistimi të zhvillohej online, ndërsa pjesa tjetër ishin tërhequr.

Së bashku me deputeten e AAK-së, Time Kadrijaj, opozita kritikoi ashpër mënyrën e përzgjedhjes së anëtarëve në bordet publike, duke ngritur shqetësime serioze për ndikimin politik dhe mungesën e mundësive të barabarta për kandidatët.

Nga ana tjetër, Kuvendi arriti të plotësojë pozitat e rezervuara për komunitetet joshumicë. Anëtarë të Bordit të RTK-së u zgjodhën Ana Kostiq nga komuniteti serb dhe Aldin Shabani nga komunitetet e tjera joshumicë, të cilëve pas hedhjes së shortit iu caktua mandat dyvjeçar. /E.A/

 

 

Exit mobile version