Ka dështuar votimi i katërt i mbajtur të enjten në Parlamentin italian për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.
Asnjë nga kandidatët nuk ka arritur kuorumin e parashikuar nga Kushtetuta, prej dy të tretat e ligjvënësve me të drejtë vote.
Të premten, kryesia e Parlamentit do të shqyrtojë mbajtjen e dy votimeve në ditë.
“Skenarët janë dy, për momentin. I pari, që Draghi të mbetet kryeministër. Duke bërë këtë ai do të sigurojë stabilitetin e vendit dhe besueshmëria e qeverisë nuk do të preket. Komuniteti ndërkombëtar dhe institucionet evropiane e shohin këtë opsion si më të mirin”, thotë analisti Pietro Paganini.
Nëse Draghi bëhet president për 7 vitet e ardhshme, besoj se besueshmëria e vendit do të vihet në dyshim. Çështja është se kush do ta zëvendësojë atë, por mbi të gjitha kush mund të luajë njëkohësisht rolin e politikanit dhe atë të teknokratit në një moment kaq të vështirë, kur Perëndimi po përballet me një krizë identiteti”, shton Paganini.
Në votimin e së enjtes, presidenti në ikje Sergio Mattarella mori 166 vota, i ndjekur nga prokurori i Antimafias, Nino di Matteo, me 56.