UBT News

Dështon të nisë gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për masakrën e Reçakut

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka dështuar të nisë gjykimi në mungesë ndaj 21 të akuzuarve për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, lidhur me masakrën e Reçakut, ku më 15 janar 1999 u vranë 42 civilë shqiptarë.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, bëri të ditur se seanca u shty pasi disa nga avokatët e caktuar nuk ishin pajisur me shkresat e lëndës. Ajo njoftoi gjithashtu se për katër të akuzuar – Zoran Stanojeviq, Milan Josanoviq, Goran Petkoviq dhe Dragoslav Nikoliq – mungonin avokatët mbrojtës, pasi Oda e Avokatëve të Kosovës ende nuk e kishte njoftuar gjykatën për emërimin e tyre.

Prokurori special Ilir Morina tha se Prokuroria kishte kërkuar nga Oda e Avokatëve listën e mbrojtësve të caktuar, në mënyrë që ata të pajiseshin me materialet e lëndës. Sipas tij, deri tani vetëm 10 avokatë janë paraqitur për të marrë shkresat, ndërsa u bëri thirrje edhe të tjerëve që ta bëjnë këtë sa më parë.

Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzën më 30 dhjetor 2025, duke propozuar gjykim në mungesë ndaj 21 personave për krime lufte kundër popullsisë civile. Sipas aktakuzës, ata akuzohen se, si pjesëtarë të forcave ushtarake dhe policore serbe gjatë luftës në Kosovë, kanë kryer vrasje, trajtim çnjerëzor, dëbime, shkatërrim të pronës dhe spastrim etnik ndaj popullsisë civile shqiptare në Reçak.

Aktakuza i ngarkon të akuzuarit me përgjegjësi për vrasjen e 42 civilëve shqiptarë gjatë masakrës së Reçakut, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë./Betimi për Drejtësi//A.K/

Exit mobile version