Ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor në rastin e njohur si “Rezervat shtetërore”, ku akuzohen ish-ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, dy zyrtarët e kësaj ministrie, Irfan Lipovica e Hafiz Gara, si dhe afaristi Ridvan Muharremi.
Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë i pranishëm ka qenë vetëm i pandehuri Hafiz Gara.
Gjyqtari i rastit, Avni Syla, bëri të ditur se ftesa për Rozeta Hajdarin ishte dërguar në adresën e Kuvendit të Kosovës, të cilën e kishte dhënë vetë ajo, por Gjykata është njoftuar se Hajdari nuk është më deputete në këtë legjislaturë dhe nuk ndodhet në atë vend pune.
Ndërkaq, i pandehuri Irfan Lipovica ka kërkuar shtyrjen e seancës për shkak se ndodhet në një udhëtim jashtë vendit, ndërsa Ridvan Muharremi ka munguar për arsye shëndetësore pas një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Aktakuza për këtë rast është konfirmuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë në mars të këtij viti. Sipas aktit akuzues, Hajdari, Lipovica dhe Gara akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje gjatë muajve shkurt dhe mars 2022, ndërsa Muharremi akuzohet për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre penale.
Prokuroria pretendon se të akuzuarit kanë vepruar me procedurë të mbyllur në kundërshtim me Ligjin për Rezervat Shtetërore, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm prej rreth 3 milionë eurosh për sasi të vajit, miellit dhe sheqerit me të cilat nuk është furnizuar rezerva shtetërore.
Hetimet për këtë rast kishin nisur pas bastisjeve në MINT në vitin 2023, të cilat pasuan publikimin e disa audioincizimeve ku pretendohej se një sasi vaji e blerë në Poloni dhe një sasi gruri e blerë në Turqi nuk kishin arritur asnjëherë në Kosovë. /E.A/
