Pas një debati të gjatë dhe mungese fillestare të konsensusit, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë arritur dakordim për rendin e ditës, duke miratuar atë me 91 vota për. Ndryshimi kryesor erdhi me propozimin e PDK-së, ku me votat e 86 deputetëve u vendos që rezoluta për mbrojtjen e viktimave të luftës të trajtohet si pikë e parë menjëherë pas pyetjeve parlamentare.
Për të finalizuar këtë dokument, një grup i deputetëve të ngarkuar për harmonizimin e tekstit është tërhequr nga salla pas konsultave me Kryetaren e Kuvendit dhe shefat e grupeve parlamentare. Paralelisht, me kërkesë të LDK-së, rezoluta për rritjen e çmimeve është zhvendosur nga pika e nëntë në pikën e gjashtë të rendit të ditës.
Ndërkohë, seanca u përcoll me një veprim politik nga Lista Serbe, deputetët e së cilës lëshuan sallën në momentin kur po votoheshin këto ndryshime. Pavarësisht kësaj, punimet e Kuvendit po vazhdojnë sipas prioriteteve të reja të votuara nga shumica parlamentare.
Dështon propozimi i LVV-së për ndryshimin e rendit të ditës pas kundërshtimit të opozitës
Opozita ka refuzuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për të përfshirë tetë projektligje të reja në rendin e ditës të seancës së 10 prillit, duke bërë që nisma të dështojë.
Partitë opozitare si PDK, LDK dhe AAK u shprehën kundër kësaj kërkese, duke e cilësuar si një tentativë për fushatë zgjedhore dhe duke kritikuar procedurën e përshpejtuar për tema me rëndësi të lartë si çmimet tavan, sigurimet shëndetësore dhe banimi social.
Ndërsa grupi multietnik e mbështeti propozimin, deputetët e opozitës kërkuan që të respektohen procedurat e rregullta parlamentare dhe të mos krijohet praktikë e ndryshimit të vazhdueshëm të agjendës pa analizë të mirëfilltë.
