Në vazhdimin e seancës konstituive, Hekuran Murati, Arbërie Nagavci dhe Dimal Basha nga Lëvizja Vetëvendosje ishin emrat që s’arritën të siguronin 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në krye të Kuvendit të Kosovës.
Kjo ishte hera e dytë që Murati u propozua për këtë post dhe hera e parë për Nagavcin dhe Bashkën. Për Muratin dhe Nagavcin votuan 55 deputetë, 46 ishin kundër. Për Muratin abstenuan pesë deputetë, e për Nagavcin katër.
Ndërsa, Basha mori 57 vota për, 25 ishin kundër dhe 24 abstenuan. Ai mori votën e Arben Gashit dhe Bekë Berishës, nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë.
Seanca konstituive u ndërpre dhe do të vazhdojë më 26 gusht, duke filluar nga ora 11:00.
Vazhdimi i sotëm i seancës konstituive ishte i treti pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese, që përcaktoi zgjedhjen e kryeparlamentarit brenda 30 ditësh përmes votimit të hapur, që kandidati i njëjtë mund të votohet vetëm tri herë dhe se të gjithë deputetët duhet të marrin pjesë në votim.