Harry Kane ka insistuar që ndërgjegjja e tij është e pastër ku tani është duke synuar që të fitojë trofe me Tottenham, pavarësisht që transferimi i dëshiruar te Manchester City ka dështuar.
Pasi që kishte shprehur dëshirën për t’u larguar nga Tottenham në fund të sezonit të kaluar, këtë merkato kapiteni i Anglisë ishte i lidhur me një transferim rekord te kampioni i Premier Ligës angleze, përcjell KosovaPress.
Por, pavarësisht që trajneri Pep Guardiola publikisht e kishte cituar interesimin e tij në 28-vjeçarin, transferimi dështoi të arrihet pasi që krerët e Tottenham refuzonin që të negociojnë.
Pasi që saga e transferimit të tij përfundoi, ishte vetë ylli anglez i cili e konfirmoi qëndrimin e tij te Tottenham këtë sezon, ku tani ka treguar që nuk ka lejuar që spekulimet mbi të ardhmen e tij të ndikojnë në formën e tij, dhe tani synon që të fitojë trofe me skuadrën e Tottenham.
“Unë e kam ditur si qëndron situata mes meje dhe klubit, dhe do të qëndrojë në atë mënyrë. Isha shumë i qetë me situatën, por kur je pjesë e saj dhe e di të vërtetën, atëherë ndërgjegjja jote është e pastër. Të gjithë kanë mendimet e tyre për këtë gjë, por kjo është pjesë e profesionit të cilin e kemi. Mendoj që të gjithë që janë të përfshirë në botën e futbollit dinë çdo gjë për transferimet brenda dhe jashtë klubit”, tha Kane.
“Shumë njerëz që më njohin mua do të thonë që jam një sportistë profesionistë, i cili ia ka dedikuar jetën e tij këtij sporti, dhe të njëjtën gjë do të vazhdoj ta bëj. Jam shumë i fokusuar me klubin dhe kombëtaren dhe po shikoj para drejt një viti të madh. Qëllimi ka qenë gjithmonë që të fitoj trofe me Tottenhamin dhe ka qenë i njëjti qëllim çdo vit”, shtoi ylli anglez.