Dëshmitarët e masakrës së Saradranit në Istog kanë reaguar pas vendimit të Gjykatës, e cila në rigjykim shpalli fajtor dhe dënoi me 12 vjet burgim ish-pjesëtarin e ushtrisë serbe, Ekrem Bajroviq, i akuzuar për pjesëmarrje në pushkatimin e 15 shqiptarëve në vitin 1999.
I mbijetuari i vetëm i masakrës, Naim Elshani, ka shprehur pakënaqësi me vendimin, duke thënë se dënimi është i pamjaftueshëm dhe nuk përfaqëson drejtësi për viktimat dhe familjarët e tyre. Ai ka folur edhe për vuajtjet e tij të vazhdueshme gjatë 27 viteve të fundit, duke theksuar mungesën e mbështetjes institucionale për dëshmitarët e krimeve të luftës.
“Ende sot plagët më kullojnë gjak… 12 vjet burgim është shumë pak… nuk shoh drejtësi,” është shprehur Elshani, duke kritikuar edhe mungesën e mbrojtjes dhe përkrahjes institucionale për dëshmitarët.
Pakënaqësi me vendimin ka shprehur edhe dëshmitari Ylber Lipa, i cili theksoi mungesën e përkrahjes shtetërore për dëshmitarët, duke kërkuar më shumë kujdes institucional dhe mbështetje për personat që dëshmojnë për krimet e luftës.
Ai shtoi se dëshmitarët përballen me vështirësi të shumta, përfshirë pasoja shëndetësore, trauma psikologjike dhe mungesë të mbështetjes logjistike, duke shpresuar që drejtësia të vendoset plotësisht, edhe pse me vonesë./A.K/
