Sandro Tonali dhe Nicolò Fagiolit janë dy nga emrat që mund të dënohen nga gjykata në Torino për përfshirje në lojëra të paligjshme të fatit, përkatësisht basteve sportive.
Të dy mesfushorët italianë rrezikojnë dënime të rënda pasi thuhet se kanë luajtur bastore, duke shkelur nenin 24 të Kodit të Sjelljes Sportive. Fagioli ishte i pari që foli, duke pranuar varësinë e tij nga bastet për ndeshjet të futbollit.
“Il Messaggero” pretendon se Fagioli u ka thënë hetuesve se bashkëkombësi i tij Tonali i sugjeroi atij një aplikacion për baste të paligjshme. Aplikacioni u zbulua më pas nga hetuesit që kishin skanuar pajisjet që i përkisnin mesfushorit të Juventusit.
Tonali, Fagioli dhe Nicolò Zaniolo janë ndër lojtarët e përfshirë në një hetim nga Prokuroria e Torinos për baste përmes platformave të paligjshme online. Ata do të gjobiten nëse shpallen fajtorë, por pasojat më të rënda mund të vijnë nga një hetim sportiv nga Federata e Futbollit në Itali (FIGC), i cili mund të çojë në një dënim prej tri viteve.
Fagioli dhe Tonali thuhet se kanë vendosur të ‘bashkëpunojnë’ me autoritetet, duke pranuar se kanë luajtur bastore në ndeshje futbolli, duke synuar përgjysmimin e pezullimit të tyre, ndërsa Zaniolo këmbëngul se ai ka luajtur vetëm poker dhe blackjack.