UBT News

Deri në shkurt pritet të përfundojnë subvencionet e dyfishta për bujqit

Ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa ka thënë sot se deri në shkurt përfundojnë të gjitha pagesat e dyta (dyfishta) të subvencioneve për bujqit dhe fermerët kosovarë.

Ndonëse pandemia ka ndikuar edhe në sektorin e bujqësisë, Mustafa tha se përkushtimi i Qeverisë ka qenë edhe më i madh për fermerët.

Mustafa të mërkurën gjatë një takimi me fermerët në Rekë të Keqe të Gjakovës, ka theksuar se ministria të cilën e drejton ka ndarë mbi 100 milionë euro grante dhe subvencione për zhvillimin e bujqësisë.

“Diskutuam për përkrahjen e bujqve dhe blegtorëve me grante dhe subvencione për vitin 2020, pa përkushtuar edhe subvencionet e dyfishta(dy herë) të cilat do i vazhdojmë nga java e parë e muajit shkurt dhe për të përfunduar gjatë këtij muaji, shkurt. Natyrisht edhe 29 milionë euro grante për zhvillimin e aseteve në punim dhe përpunim në bujqësi. Pra, një buxhet për mbi 100 milionë euro për zhvillimin e bujqësisë në formë të granteve dhe subvencioneve”, tha ai.

Drejtori i qumështores “Golaj” në fshatin Sheremet, Brahim Golaj theksoi se në pandemi ka rënë fuqia blerëse e produkteve të qumështit, për këtë kërkoi nga ministri Mustafa që ndarja e mjeteve për grante dhe subvencione të ndahen sa më parë për fermerët.

“Po mundohemi të mos ngecim në pagesat e qumështit dhe fermerët të vazhdojnë furnizimin me qumësht siç kanë vazhduar deri tash. Ende nuk është duke u grumbulluar krejt sasia e qumështit për shkak të pandemisë dhe rënies së fuqisë blerëse. Ministria Mustafa na premtoi se pagesat për grante dhe subvencione do të kryhen në fillim të këtij viti. Shpresoj që kjo të ndodhë sa më shpejt”, tha ai.

Ministri në detyrë, Besina Mustafa gjatë ditës ka takuar edhe fermerët e Junikut.

Exit mobile version