Në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti deputetët kanë debatuar lidhur me vendimin e Qeverisë për emërimin e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE-së).
Kryetari i Komisionit Ferat Shala tha se kandidatët për kryesues dhe anëtarë të Bordit të ZRrE-së janë zgjedhur mbi baza partiake dhe se do votojë kundër, pasi nuk ka qenë proces i rregullt.
Në anën tjetër deputetja Mimoza Kusari-Lila tha se nuk është e vërtetë që ka qenë si proces i dyshimtë dhe me baza partiake.
Debati vazhdoi pasi Shala kërkoi që të interpretohet lista me anëtarët dhe të tjerë.
Pal Lekaj nga AAK-ja, tha se nuk është dashur që nëse ka pasur ndikime politike kandidatët të ftohen për intervistë, duke kërkuar që me këtë proces të mos bëhet “hajgare”.
“Keni ardhur me luftuar politikën e vjetër, por është e njëjta, asgjë nuk keni bë e edhe ju keni punësuar njerëz e gjithçka, andaj nëse ka ndodh një gjë e tillë kjo është skandal dhe puro-politik”, tha Lekaj.
Kusari-Lila propozoi që emrat t’i shkojnë Kryesisë në mbledhjen e së martës dhe pastaj të shkoj në seancën plenare.
Pas hedhjes në votim të anëtarëve të bordit, është miratuar lista e anëtarëve.