Chelsea do ta kërkojë fitoren ndaj Arsenalit sonte për ta “blinduar” një vend që çon në Champions League në xhiron e 36-të të Premier Leagues që do të sjellë sonte derbin londinez.
Chelsea dhe Arsenali do të përballen në mes vete në ndeshjen kryesore të kësaj mesjavë në kampionatin anglez.
“Blues” janë duke e kaluar një formë solide dhe vijnë nga fitorja e madhe ndaj Manchester Cityt.
Prandaj, Të Kaltrit synojnë fitore edhe ndaj “Topçinjve” për ta “blinduar” një pozitë që çon në Champions League sezonin tjetër.
Aktualisht, Chelsea gjendet në vendin e katërt me dy pikë më pak se Leicester City, i cili e mundi Manchester Unitedin. Por, skuadra e Thomas Tuchel e ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Në anën tjetër, “Gunners” e kaluan një sezon dëshpërues dhe aktualisht gjenden në vendin e nëntë. Ata janë larg zonës së Evropës dhe këtë ndeshje Granit Xhaka me shokë do ta zhvillojnë sa për prestigj.
Përballja ndërmjet Chelseat dhe Arsenalit do të fillojë në orën 21:15.