UBT News

​Deputetja Shqipe Mehmeti-Selimi nuk e votoi Donika Gërvallen për kryeparlamentare

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Shqipe Mehmeti- Selimi, njëherësh bashkëshortja e Rexhep Selimit, nuk ka votuar  Donika Gërvallën për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

Në pamjet që shihen nga Kuvendi i Kosovës, deputetja Selimi nuk ka votuar fare gjatë procesit të votimit për deputeten nga radhët e koalicionit Guxo–LVV–Alternativa, Donika Gërvalla.

Deputetët e legjislaturës së nëntë kanë dështuar sërish në konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje propozoi për kryeparlamentare sërish emrin e Albulena Haxhiut. Pas kandidaturës së Haxhiut, kandidatura tjetër e LVV-së ishte Donika Gërvalla.

Njëjtë si Haxhiu, as emri i Gërvallës nuk gjeti përkrahjen e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. 57 vota për, 56 kundër dhe 3 abstenime nuk mjaftuan që Gërvalla të zgjidhet kryeparlamentare.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, përfundoi seancën e sotme duke caktuar 22 gushtin si datë të mbledhjes tjetër të deputetëve.

Seanca e radhës mbahet të premten në ora 11:00.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese thotë se deputetët duhet të zgjedhin me votim të hapur kryeparlamentarin, si dhe një kandidat për kryeparlamentar mund të votohet vetëm deri në tre herë.

Exit mobile version