Deputetja e Lëvizje Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti-Selimi ka kërkuar nga institucionet e vendit të ruajnë memorien historike për çlirimin e vendit nga okupatori serb.
Në kuadër të deklarimeve jashtë rendit të ditës të seancës së sotme, deputetja tha se duhet të bëhet më shumë edhe për mirëmbajtjen memorialëve përkujtimore.
“Institucionet nuk e kanë bërë punën e mjaftueshme që memoria historike të ketë mirëmbajtjen më të mirë” tha Mehmeti-Selimi.
“Flamuj kombëtar të grisur nga era, apo barë i thatë mbi varreza. Lula dhe kurora të shpërndara gjithandej dhe disa raste pllaka të thyera. Për shoqërinë tonë janë plagë më të rënda sesa plagët që morën të rënët në luftë. Në këto dy përvjetorët e fundit të çlirimit të Kosovës ishte pandemia që na ndau në akademinë përkujtimore, por asgjë nuk duhet të na ndalte që rrugicat deri tek varret e dëshmorëve të ishin më të pastruara dhe shtruara”, tha ajo.
Seanca e Kuvendit po vazhdon, ku ndër të tjera pritet edhe raportimi i kryeministrit Albin Kurti lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.