Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Albena Reshitaj është shprehur e bindur se buxheti për vitin 2021 do të votohet, madje në të dy leximet.
Reshitja në një intervistë për Ekonomia Online, tha se me mosvotimin e buxhetit do të shkaktohet bllokadë për vendin. Madje ajo thotë se do të jetë problem edhe sa i përket organizimit të zgjedhjeve të parakohshme.
“Shpresoj që buxheti do të votohet do të kalojë në të dy leximet, sa më parë që është e mundur pasi që në të kundërtën do të kemi edhe një bllokadë tjetër. AAK-ja që nga fillimi ka qenë shumë konstruktive në raport me nevojat e qytetarëve duke u nisur prej pandemisë, duke u nisur prej Ligjit për pandeminë dhe kemi dhënë kontribut edhe brenda neneve dhe e kemi votuar e kemi përkrahur që nga fillimi gjithashtu edhe Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe sot jemi të gatshëm, gjithë grupi i AAK-së për ta votuar buxhetin. Unë besoj që do të votohet, në bazë të informatave që kam do të shkaktohet një bllokadë një problem ju e dini që jemi në prag të zgjedhjeve, normalisht që do të jetë e vështirë edhe për këtë aspekt”, deklaroi ajo.
Reshitaj ka folur edhe për fillimin e vaksinimit të qytetarëve në veri nga ana e Serbisë. Sipas saj, kjo vaksinë mund të jetë vetëm mashtrim dhe se me këtë rast Serbia synon ta dëmtojë integritetin territorial të Kosovës, raporton EO.
Ndërsa tha se Kosova duhet që të bëjë përpjekje maksimale për ta siguruar vaksinën sa më parë.
“Në momentin që një produkt i quajtur mjekësor futet në mënyrë ilegale në një shtet, atëherë lind dyshimi nëse ai është medicinal, nëse ai është me të vërtet ai i cili mendohet. Prandaj edhe si profesionist kemi arsye të dyshojmë, kjo mund të mos jetë vaksinë, thjeshtë mund të jetë një medikament mashtrues dhe për këtë arsye jemi të shqetësuar dhe ndikuar në dy drejtime, edhe në atë se na është futur në shtet një produktet në mënyrë ilegale, sidomos kur flasim për shëndetin dhe e dyta shohim dhe e kuptojmë që Serbia edhe përmes shëndetësisë serbe në Kosovë, provon ende të dhunojë dhe të dëmtojë, të cenojë integritetin territorial të Kosovës. Mund të them që Serbia është duke dhënë një shembull të një shteti jo humanitar dhe jo njerëzor. Dua të besoj që nuk do të jemi të fundit, ata që do ta marrin vaksinën. Dua të besojë që Qeveria ka bërë përgatitjet e nevojshme. Kosova duhet ta marrë vaksinën në të kundërtën do të jemi të dështuar”, deklaroi Reshitaj.