UBT News

Deputeti Shaip Kamberi pranon në Uashington ligjin për vlerësimin e diskriminimit në Luginën e Preshevës

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka bërë të ditur se në Uashington ka pranuar personalisht nga Kongresisti amerikan Keith Self projektligjin H.R. 6411 – Presheva Valley Discrimination Assessment Act, një akt i rëndësishëm që për herë të parë adreson në mënyrë zyrtare diskriminimin sistematik ndaj shqiptarëve në Serbi në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

Sipas Kamberit, ky ligj nuk ka karakter simbolik, por përbën një instrument shtetëror amerikan, i cili synon të vlerësojë, dokumentojë dhe ekspozojë forma të ndryshme të diskriminimit që përjetojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës. Në fokus të këtij vlerësimi janë praktika si pasivizimi administrativ, përjashtimi nga institucionet publike, shtypja e përdorimit të gjuhës shqipe, diskriminimi në arsim dhe margjinalizimi ekonomik.

“Për herë të parë, kjo padrejtësi nuk mbetet në periferi të diplomacisë, por futet në zemrën e politikës amerikane, jo si protokoll, por si detyrim moral”, ka theksuar Kamberi në reagimin e tij.

Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë ndaj Kongresistit Keith Self, duke theksuar se mbështetja e tij për këtë nismë përfaqëson një qëndrim parimor në një kontekst ndërkombëtar ku, sipas Kamberit, shpeshherë heshtja diktohet nga interesat.

Exit mobile version