UBT News

Deputetët kërkojnë dorëheqjen e Boris Johnson pas thyerjes së rregullave antiCOVID

Boris Johnson ka kërkuar falje për një festë të mbajtur në Downing Street gjatë bllokimit të parë të koronavirusit, teksa u përball me deputetët që parashtronin pyetje.

Në një seancë në parlament të mërkurën, lideri laburist i opozitës Sir Keir Starmer i bëri thirrje Johnson të jepte dorëheqjen. Disa deputetë konservatorë, duke përfshirë udhëheqësin konservator skocez, Douglas Ross, kanë rënë gjithashtu dakord që kryeministri duhet të largohet.

Kjo vjen pas zemërimit publik dhe politik për shkak të akuzave se kryeministri dhe stafi i tij shpërfillën kufizimet e bllokimit duke bërë një festë në maj të vitit 2020.

“Dua të kërkoj falje”, tha Boris Johnson teksa doli para deputetëve. “Unë e di se miliona njerëz në të gjithë këtë vend kanë bërë sakrifica të jashtëzakonshme gjatë 18 muajve të fundit”.

“E di zemërimin që ndjejnë me mua dhe me qeverinë që unë drejtoj, kur mendojnë se në vetë Downing Street rregullat nuk ndiqen siç duhet nga njerëzit që bëjnë rregullat”.

“Ka pasur gjëra që thjesht nuk i kemi bërë mirë dhe unë duhet të marr përgjegjësinë”, shtoi kryeministri. Duke pranuar se mori pjesë në festë, ai tha se ishte atje për 25 minuta dhe “mendoi se ishte një ngjarje pune”.

Starmer e përshkroi përgjigjen e Johnson si “fyese për publikun britanik”, i cili po u bindej rregullave të bllokimit ndërsa kryeministri dhe stafi i tij “po organizonin festa të çmendura në Downing Street”. Ai akuzoi Johnson se ka gënjyer dhe i bëri thirrje atij “të bëjë gjënë e denjë dhe të japë dorëheqjen”.

Lideri i Partisë Kombëtare Skoceze (SNP) në parlament, Ian Blackford, akuzoi Boris Johnson për “tradhti të besimit të kombit” dhe “trajtim të publikut me përbuzje”.

Përveç figurave të opozitës, edhe disa figura brenda vetë partisë e në pushtet të Johnson-it i kanë bërë thirrje atij të japë dorëheqjen./UBTNews/

Exit mobile version