Tri partitë parlamentare opozitare ia kanë mësyrë të mërkurën Radio Televizionit të Kosovës për t’u futur brenda lidhur me ankesën për mos transmetimin e seancës së jashtëzakonshme, por ata nuk u lejuan të hyjnë brenda. Opozitarët në një konferencë për media para transmetuesit publik shprehën pakënaqësitë ndaj këtij mediumi publik. .
Mos transmetimin e seancës në kanalin qendror të RTK-së, opozita e vlerëson si të papranueshme, ‘mbytje e zërit të deputetëve dhe se kryeministri i vendit, Kurti ka në dorë Radio Televizionin e Kosovës’.
Kryetari i Grupit Parlamentarë të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se pikërisht sot, qytetarët e Kosovës do të duhej të dëgjonin seancën e Kuvendit dhe të shohin se ‘si vidhen nga kapelat e zeza”.
“Tashmë aty ku ka mbërri RTK-ja, është jashtëzakonisht e frikshme. Këto momente RTK-ja, çoftë drejtori gjeneral, çoftë Dejona, kushdo vendosi që ajo që nuk kishte ndodhur më herët, pra ta zhvendos seancën e Kuvendit të Kosovës, në një program periferik dhe duke mos e transmetuar në programin qendror. Kjo është e papranueshme, sepse pikërisht sot qytetarët e Kosovës do duhej me dëgjuar dhe me pa se si vidhen nga kapelat e zeza 20 milionë euro, përmes ujit të pijshëm në vendin tonë… Këta e mbysin fjalën e lirë, zërin opozitarë, çdo zë i cili i shpërfaqë aferat e tyre korruptive me abuzimet e tyre”, ka thënë Tahiri.
Ndërsa, kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Armend Zemaj ka shtuar se sot ishte kulmi i “pafytyrësisë” dhe i shpresës që ka mbetur që dikush mund të frymojë lirshëm në Kosovën e lirë dhe të pavarur.
Sipas tij, kjo është mbytje e zërit të deputetit, fshehje nga e vërteta dhe mbytje e zërit të qytetarit përmes përfaqësimit prej të cilit kanë deleguar në Kuvendin e Kosovës.
“Ne e kemi thënë me kohë që kapja e këtij institucioni ka për qëllim devalvimin e vlerave në shoqëri dhe mbytjen në demokraci. Sot është kulmi i pafytyrësisë dhe të asaj pak shprese që ka mbetur që dikush mund të frymoj lirshëm në Kosovën e lirë dhe të pavarur…Seanca nuk u transmetua në kanalin zyrtar të RTK-së, që nënkupton mbytje e zërit të deputetit, fshehje nga e vërteta të cilat po ndodhin nga skandalet e shpërfaqura, çdo ditë për afera korruptive dhe kjo do të thotë që mbytet edhe zëri i qytetarit, përmes përfaqësimit prej të cilit kanë deleguar në Kuvendin e Kosovës”, tha Zemaj.
Po ashtu, kryetari i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se kjo e ‘shpërfytyron regjimin e kryeministrit Kurti se duhet të ndalet fjala, debati, argumenti’ dhe sipas tij, të mashtrojnë popullin duke fshehur të bërat e tyre.
“Fakti që në një seancë ku po trajtohet një super skandal i kësaj qeverie, ndalet për fjalimin e Kryeministrit, që ishte në një konferencë, tregon shumë saktë, drejtë e shpërfytyron regjimin e Kurtit se, duhen me ndalë fjalën debatin, argumentin dhe ashtu si kanë ardhur me mashtrim, të mashtrojnë popullin, të fshehin për të bërat e tyre, të cilat po i japin jo vetëm hije të keqe vendit por po e dobësojnë secilën pore të secilit institucion të pavarur”, ka vijuar Tahiri.
Të tri partitë parlamentare opozitare, si simbolikë, në dyert e objektit të RTK-së, vendosën kapuç të zinj.