Me 4 vjet e 11 muaj burgim është dënuar Millosh Antoviq nga Gjykata Themelore në Prishtinë për sulmin ndaj KFOR-it në Zveçan, më 29 maj 2023. Ai është dënuar edhe me 20 mijë euro gjobë e cila do të paguhet me këste brenda dy vjetëve.
Antoviq e ka pranuar se ka ushtruar dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it si dhe Policisë së Kosovës më 2023.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, pas ngritjes së aktakuzës, e ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë ndërmjet PSRK dhe të pandehurit, duke e dënuar këtë të fundit me dënim unik prej 4 vjetësh e 11 muaj burgim efektiv dhe 20 mijë euro gjobë”, njoftoi Prokuroria Speciale të hënën, më 4 gusht.
Antoviq akuzohet për sulm ndaj personit zyrtar; pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale huliganizëm; blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge; posedim i paautorizuar i armëve.
Më 29 maj të vitit 2023 dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it ishin lënduar si pasojë e përleshjes me protestuesit serbë të cilët kundërshtonin atë kohë kryetarët e rinj shqiptarë në komunat veriore.
Aktakuza ndaj tij ishte ngritur më 30 korrik, kurse deri më tash nga institucionet e Kosovës janë ngritur disa aktakuza ndaj personave të përfshirë në sulmet në Zveçan.