Gjykata ka dënuar me dy vjet burgim Sllobodan Radenkoviqin, pasi ky i fundit pranoi fajësinë për sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës gjatë tensioneve në Zveçan, në maj të vitit 2023.
Radenkoviq arriti marrëveshje me Prokurorinë Speciale, duke pranuar akuzat për “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”. Përveç dënimit me dy vjet burgim (ku do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim), atij i është shqiptuar edhe një dënim prej 6 muajsh, i cili mund të zëvendësohet me gjobë prej 15 mijë eurosh.
Sipas aktakuzës, Radenkoviq kishte marrë pjesë aktive në grupin që ushtroi dhunë ndaj forcave të rendit dhe paqeruajtësve ndërkombëtarë para objektit të komunës. Gjyqtarja e rastit e ka aprovuar marrëveshjen, ndërsa mbrojtja ka kërkuar që pagesa e gjobës të bëhet me këste për një periudhë dyvjeçare.
