UBT News

Dënohen me 75 vjet burgim të akuzuarit për 400 kilogramët e kokainës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin dënues për pesë personat e akuzuar në rastin e madh të 400 kilogramëve kokainë, duke i dënuar ata me gjithsej 75 vjet burgim.

Të akuzuarit Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi janë shpallur fajtorë për pjesëmarrje dhe organizim të grupit kriminal, që lidhet me shitjen dhe posedimin e lëndëve narkotike.

Sipas vendimit të gjykatës, Izet Sheqiri dhe Faton Vrajolli janë dënuar me nga 20 vjet burgim, Kadri Sheqiri me 15 vjet, ndërsa Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi janë dënuar me nga 10 vjet burgim.

Gjatë këtij procesi, Prokuroria ka argumentuar se të akuzuarit kanë vepruar si një grup i organizuar ku secili kishte detyrën e tij, ndërsa mbrojtja e Izet Sheqirit ka pretenduar se veprimet e tyre ishin punë e zakonshme dhe se Prokuroria i ka interpretuar gabimisht si krime.

Ky rast kishte nisur në vitin 2021, kur sasia e madhe e drogës u gjet e fshehur brenda paketimeve me mish pule të procesuar, të njohura si “chicken nuggets”, në qytetin e Lipjanit.

Në këtë rast janë përfshirë stafi i kompanisë “MC Foods”, ku Izet Sheqiri ishte pronar, Faton Vrajolli menaxher, Kadri Sheqiri komercialist, Kadri Brahimi depoist dhe Fehmi Bytyqi shofer.

Përveç ngarkesës që u kap nga policia, në aktakuzë thuhet se drejt kësaj kompanie ishin nisur edhe dy dërgesa të tjera me kokainë, por të cilat nuk kishin arritur në Lipjan. Ky proces gjyqësor mbyll kështu një nga rastet më të përfolura të drogës në Kosovë që nga zbulimi i tij para tri vitesh.

Foto: Ekonomia Online

Exit mobile version