Luftëtari shqiptar i arteve marciale të përziera (MMA), Dennis Buzukja, do të jetë pjesë e një eventi historik të UFC-së që do të mbahet më 1 gusht në Beograd. Kjo do të jetë hera e parë që organizata më prestigjioze e MMA-së, Ultimate Fighting Championship, organizon një ngjarje në Serbi.
Buzukja do të përballet me Bogdan Grad, një duel që konsiderohet tejet i rëndësishëm për të ardhmen e shqiptarit në UFC. Grad ka bilanc prej 15 fitoresh dhe katër humbjesh në karrierë, megjithëse dy ndeshjet e fundit i ka mbyllur me humbje.
I lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Buzukja garon nën flamurin amerikan, por nuk e ka fshehur asnjëherë origjinën dhe krenarinë e tij shqiptare. Në karrierën e tij profesionale në MMA ai numëron 12 fitore dhe gjashtë humbje, ndërsa në UFC ka regjistruar një fitore dhe katër humbje.
Pikërisht për këtë arsye, përballja në Beograd pritet të ketë peshë të madhe për karrierën e tij, pasi një rezultat pozitiv do ta ndihmonte të forconte pozitën e tij në organizatën më të madhe të MMA-së në botë.
Buzukja u bë i njohur edhe jashtë kafazit gjatë vitit 2024, kur nuk u lejua të hynte në arenë i mbështjellë me flamurin shqiptar para duelit të fituar ndaj Connor Matthews. Sipas tij, organizatorët e kishin ndaluar përdorimin e flamurit për shkak të zbukurimeve të arta që kishte mbi të.
“Jam i bekuar që përfaqësoj Shqipërinë dhe ishte e çuditshme që pak para daljes më thanë se nuk mund ta mbaja flamurin”, ishte shprehur atëherë Buzukja, duke mos e fshehur zhgënjimin për vendimin.
Tashmë, shqiptari do të ketë një tjetër mundësi për t’u paraqitur në një skenë të madhe ndërkombëtare, kësaj radhe në kryeqytetin serb. Buzukja garon në kategorinë e peshave deri në 66 kilogramë dhe synon një fitore që mund t’i japë shtysë të re karrierës së tij në UFC. Ndërkohë, mediat serbe kanë nisur t’i kushtojnë vëmendje paraqitjes së luftëtarit shqiptar në eventin e shumëpritur të Beogradit.
