Aktgjykimi i së mërkurës i Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka zënë ballinat e medieve ndërkombëtare, me theks të veçantë në titujt e tyre për dënimin prej 25 vitesh burgim për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Agjencia e lajmeve Associated Press raportoi se Gjykata në Hagë e dënon ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, për krime lufte me 25 vjet burg. Sipas kësaj media amerikane, Thaçi u përball me akuza të shumta për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë vrasje, torturë dhe persekutim, së bashku me tre ish-udhëheqës të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët luftuan kundër forcave serbe në luftën e viteve 1998-99.
Agjencia tjetër e lajmeve, Reuters, raportoi gjithashtu se ish-presidenti i Kosovës dënohet me 25 vjet burgim për krime lufte. Në artikullin e saj thuhet: “Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u shpall fajtor për krime lufte nga Tribunali për Krimet e Luftës në Kosovë të mërkurën. Thaçi, 58 vjeç, u dënua me 25 vjet burgim për krime, përfshirë vrasje, torturë dhe ndalim të paligjshëm, të kryera në cilësinë e komandantit të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë shkëputjes së dhunshme të Kosovës nga Serbia në vitet 1990”.
Gjithashtu, gazeta britanike The Guardian vendosi në titull: “Ish-presidenti i Kosovës, Thaçi, dënohet me 25 vjet burgim”, duke raportuar se ish-komandanti i UÇK-së dhe më vonë presidenti i Kosovës është dënuar me 25 vjet burgim pasi gjykata ndërkombëtare në Hagë e ka shpallur penalisht përgjegjës për krime lufte gjatë konfliktit.
Në total, Gjykata Speciale shqiptoi 81 vjet burgim për katër ish-krerët e UÇK-së:
Hashim Thaçi: 25 vjet burgim (përgjegjës për vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim të paligjshëm).
Jakup Krasniqi: 25 vjet burgim (fajtor për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme).
Kadri Veseli: 18 vjet burgim (fajtor për ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme).
Rexhep Selimi: 13 vjet burgim (fajtor për trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme).
