Lajme jo të mira vijnë për Atletico Madridin. Sulmuesi kryesor i Los Colchoneros, Alvaro Morata pësoi një dëmtim të rëndë në transfertën ndaj Sevillas, ku u detyrua të linte fushën e lojës.
Morata u përplas me mbrojtësin kundërshtar në fundin e pjesës së parë dhe u largua nga fusha me ndihmën e mjekëve, teksa paraprakisht dyshohet për një këputje të ligamenteve.
Sulmuesi spanjoll do të kryejë testet mjekësore të hënën, megjithatë nëse konfirmohet këputja e ligamenteve, atëherë 31-vjeçari do të duhet t’i nënshtrohet një operacioni dhe të qëndrojë larg fushave për të paktën 6 muaj.
Mungesa e Moratës mund të penalizojë jo pak Atletico Madridin, që vetëm spanjollin ka qendërsulmues të mirëfilltë, teksa në repartin e avancuar ka edhe Griezmann, Depay e Correa.
Megjithatë në telashe është edhe trajneri i Spanjës, De la Fuente, pasi do të duhet të bëjë plane me të tjerë sulmues për kampionatin evropian./UBTNews/