UBT News

Dëmtohet një kamion nga shpërthimi dhe digjet një shtëpi në rajonin e Mitrovicës

Në raportin e fundit 24-orësh të Policisë së Kosovës janë raportuar dy raste si – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, që kanë ndodhur gjatë ditës së djeshme në rajonin e Mitrovicës dhe Vushtrrisë. Rasti i parë ka ndodhur në rrugën “Ajet Gërguri” në Vushtrri, ku menaxheri i një kompanie ka njoftuar policinë se një kamion i tyre ishte dëmtuar nga një mjet shpërthyes.

Pas ekzaminimit nga njësia e specializuar për deminim, zyrtarët policorë kanë konstatuar se dëmtimi në mjet nuk ishte i ri, por dyshohet se kishte ardhur si pasojë e shpërthimit të një granate dore në një kohë më të hershme.

Prokurori është njoftuar menjëherë për këtë rast të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, i cili tashmë po trajtohet.

Ndërkohë, një tjetër incident është raportuar pasditen e së hënës në zonën e Trepçës në Mitrovicën e Jugut, ku një shtëpi është përfshirë nga flakët.

Pronari i shtëpisë ka njoftuar menjëherë autoritetet, gjë që ka mundësuar ndërhyrjen e shpejtë të ekipeve të zjarrfikësve dhe njësive policore. Megjithëse zjarri u lokalizua dhe u fik plotësisht, dëmet materiale në objekt janë të konsiderueshme. Fatmirësisht, nga ky incident nuk ka pasur persona të lënduar apo pasoja në njerëz. Edhe për këtë rast, Policia e Kosovës ka nisur hetimet.

Exit mobile version