Torino ka marrë një lajm të keq pas dëmtimit të sulmuesit kolumbian Duvan Zapata, i cili ka pësuar një dëmtim të meniskut dhe do të qëndrojë jashtë fushave për një periudhë të gjatë, me spekulime që e gjithë sezoni mund të jetë përfunduar për 33-vjeçarin. Kjo situatë ka detyruar skuadrën të kërkojë një zëvendësim në merkato dhe një nga emrat në listën e përforcimeve është Mario Balotelli.
34-vjeçari italian aktualisht është pa skuadër dhe mund të regjistrohet në çdo moment. Sipas gazetës “La Stampa”, menaxherët e Balotelli kanë nisur bisedimet me drejtuesit e Torinos për të shqyrtuar mundësinë e rikthimit të tij në Serie A. Balotelli tani po stërvitet individualisht në Brescia dhe shpreson për një thirrje nga ndonjë ekip italian.
Vetë Balotelli ka pranuar se ka refuzuar disa oferta tërheqëse nga jashtë Italisë, përfshirë nga skuadra në Amerikën Latine, duke theksuar dëshirën e tij për t’u rikthyer në Serie A. Ky mund të jetë shansi i artë për të për të rikuperuar statusin e tij si një nga sulmuesit më të njohur të futbollit italian.
Rikthimi i Balotelli në Serie A do të ishte një ngjarje e rëndësishme për futbollin italian, sidomos për Torinon, e cila po përballet me sfida të mëdha pas humbjes së Zapatas. Përveç kualiteteve të tij në fushë, Balotelli ka një histori të pasur dhe të ngarkuar, dhe prania e tij do të mund të sjellë një impuls të ri në skuadër.
Torino tani po punon për të finalizuar këtë marrëveshje, në mënyrë që Balotelli të mund të bëhet shpejt një pjesë e rëndësishme e skuadrës dhe të kontribuojë në përpjekjet e klubit për të përmirësuar renditjen në Serie A./UBTNews/