Trajneri i Sivassporit, Bülent Uygun, ka bërë një njoftim të shqetësues për Kombëtaren Shqiptare, duke konfirmuar se sulmuesi Rey Manaj do të mungojë për një kohë të gjatë për shkak të një dëmtimi. Kjo nënkupton se Manaj do të jetë i pamundur për të kontribuar as për ndeshjet e muajit nëntor në Ligën e Kombeve.
“Rey Manaj nuk do të jetë në mesin tonë për një kohë të gjatë për shkak të dëmtimit të tij. Është vërtet shqetësuese për ne që edhe Koita është dëmtuar, dhe tani ndodhemi në një periudhë ku nuk e dimë se çfarë do të ndodhë,” tha Uygun në një deklaratë për mediat.
Trajneri theksoi se Sivasspori do të shfrytëzojë sa më mirë pushimin për ndeshjet e kombëtareve për të adresuar mangësitë në skuadër. “Ne do të kompensojmë mangësitë tona në përputhje me rrethanat,” shtoi ai.
Me mungesën e Manajt, trajneri i Kombëtares Shqiptare, Sylvinho, do të duhet të bëjë llogaritë për ndeshjet e nëntorit. Ka shpresë që Armando Broja, i cili ende nuk ka zbritur në fushë me Evertonin këtë sezon, të rikthehet gjatë muajit të ardhshëm.
Aktualisht, zgjedhja e parë për rolin e sulmuesit të avancuar mbetet Mirlind Daku, ndërsa Myrto Uzuni gjithashtu është një mundësi për trajnerin Sylvinho.
Ky lajm vjen në një moment të rëndësishëm për Kombëtaren Shqiptare, e cila ka nevojë për të gjithë lojtarët e saj më të mirë për të përballuar sfidat e ardhshme në Ligën e Kombeve./UBTNews/