Gianluigi Donnarumma ka pësuar një “traumë në fytyrë” me “plagë të shumta”, sipas diagnozës fillestare të stafit mjekësor të Paris Saint-Germain, pasi u godit në mënyrë të dhunshme nga Wilfried Singo gjatë ndeshjes së luajtur të mërkurën kundër Monakos. Portieri i PSG-së ka marrë 10 qepje në fytyrë dhe një prerje shumë të rëndë. Imazhet e incidentit janë përhapur shpejt nëpër botë dhe kanë tërhequr vëmendjen e tifozëve dhe mediave.
Për momentin, nuk ka një datë të saktë për rikthimin e Donnarumma-s në fushë. PSG ka lëshuar një komunikatë në të cilën njofton se portieri i Kombëtares italiane është kthyer në Paris me pjesën tjetër të grupit dhe do t’i nënshtrohet disa ekzaminimeve të mëtejshme për të vlerësuar shkallën e dëmtimit dhe për të përcaktuar nëse ka ndonjë dëmtim të mundshëm të kockave të fytyrës. Klubin francez ka konfirmuar gjithashtu se Donnarumma do të duhet të qëndrojë pa aktivitet për disa ditë dhe do të mungojë në ndeshjen kundër Lens, e cila do të luhet të dielën e ardhshme.
Kërkesa për falje ka ardhur nga vetë Wilfried Singo, i cili ka shprehur keqardhjen e tij për incidentin. Në një postim në Instagram, ai shkruan: “Dua të kërkoj falje nga Gianluigi Donnarumma. Gjesti im nuk ishte natyrisht i qëllimshëm, vetëm më vonë pata mundësinë të shihja se ai kishte një plagë të rëndë në fytyrë. Të uroj shërim të shpejtë”. Singo ka luajtur te Torino nga 2019 deri në 2023, dhe ka theksuar se nuk kishte pasur asnjë qëllim të keq në veprimin e tij./UBTNews/