Ansu Fati duket se vërtet po përndiqet nga fati i keq. Kur dukej se ylli i Barçës ishte rikuperuar plotësisht dhe po shkëlqente në fazën përgatitore, pak ditë para nisjes së ekipit në turneun amerikan, ai është dëmtuar sërish.
Klubi i Barcelonës njoftoi të mërkurën se sulmuesi i saj pësoi një dëmtim në shputën e këmbës së djathtë në stërvitje në “Ciutat Esportiva Joan Gamper” dhe nuk do të udhëtojë në turneun parasezonal të Shteteve të Bashkuara për të ndjekur trajtimin e veçantë në Barcelonë. Ansu kishte treguar përparim të madh fizik në javët e para të punës dhe tani do t’i duhet të kalojë pak kohë pa punuar me pjesën tjetër të shokëve të tij për t’u rikuperuar.
Barça nuk ka detajuar se sa kohë do të qëndrojë jashtë sulmuesi. Rikthimi i tij do të jetë në varësi të testeve që ai do të zhvillojë gjatë këtyre ditëve për të parë evolucionin e riaftësimit. Gjithsesi, në Barcelonë janë optimistë, pasi këtë herë nuk bëhet fjalë për ndonjë dëmtim serioz për të./UBTNews/