UBT News

Dëme të konsiderueshme si pasojë e vërshimeve në Mitrovicë, ndihma nga shteti zero

Mbi 30 000 euro llogaritet të jetë vlera e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në “Lagjen e Boshnjakëve”. Po ashtu dëme të ngjashme ka pasur edhe në pjesë të tjera të Mitrovicës

Dalja e lumit Ibër nga shtrati si pasojë e vërshimeve ka bërë që shtëpitë afër tij të bëhen të pabanueshme. E këtë “fat” pati shtëpia e 21-vjeçares ngjitas lumit Ibër në “Lagjen e Boshnjakëve”.

“Lagjja e Boshnjakëve”, shtëpia e 21-vjeçares brenda

Tmerrin e 19 janarit, 21-vjeçarja e cila nuk pranoi t’i përmendet emri, e përshkruante si diçka që kishte lënë shumë pasoja.

“E tërë shtëpia është dëmtuar nga vërshimet. Pasojat janë të mëdha për arsye se ne nuk mundemi të kthehemi në shtëpinë tonë”, deklaroi ajo.

Mimikat e fytyrës së vajzës të bënin të kuptoje se asgjë në shtëpinë e saj nuk është si më parë.

“Për momentin ne jemi duke banuar në një banesë në jug sepse në shtëpi nuk ka mundësi jetese”, tha ajo.

21-vjeçarja tha se sipas inspektoriatit që ka vlerësuar dëmet, vlera monetare e tyre është afro 30000 euro.

Ndihmat e vetme që iu kanë ofruar kësaj familjeje kanë qenë nga shoqatat humanitare

“Shteti nuk ka ndihmuar asgjë, po ashtu deri më tani nuk ka asnjë ndihmë as nga komuna. Ndryshe, shoqatat humanitare të cilat ishin “Inciativa” dhe “Bereqeti”  na kanë ndihmuar me pako ushqimore dhe higjenike”.

Ajo shtoi se Lindrit Misini, i cili udhëheq shoqatën humanitare “Djemtë e Mitrovicës”, ka ofruar ndihmë për rregullimin e shtëpisë. Mirëpo më pas ai ka hequr dorë me pretekstin se shuma është e madhe.

“Lagjja e Boshnjakëve”, shtëpia sot

Ndryshe, 21-vjeçarja shpreson se komuna do të marrë inciativën për t’iu ndihmuar.

“Lagjja e Boshnjakëve”, shtëpia sot

Shenjat nga vërshimet vërehen edhe në lagjen “2 Korriku”. Rrugët nga hyrja e deri në dalje ishin të gjitha të baltosura. Lumi Sitnica kishte goditur pothuajse çdo shtëpi të kësaj lagjeje.

Malsor Peci banor i “2 Korrikut” tha se vërshimet e fundit kishin depërtuar brenda shtëpisë.

“Dëmet brenda shtëpisë kanë qenë kryesisht  në kuzhinë, korridor dhe në banjo. Në aspektin monetar shuma e këtyre dëmeve arrin afro 2000 euro”, theksoi ai.

Lagjja “2 Korriku”, shtëpia e Malsor Pecit gjatë vërshimeve

Peci theksoi se shuma e premtuar nga komuna për kompensimin e demeve nuk i kanë rënë në dorë familjes së tij.

 “Përkrahje nga shteti dhe komuna nuk kemi pasur. Megjithëse ne kemi aplikuar në komunë me shpresën që do t’i marrim 2500 euro të premtuara nga komuna. Mirëpo ne si familje ende nuk i kemi marrë, por thuhet që një pjesë e familjeve të prekura nga vërshimet në ketë lagje i kanë marrë”, tha ai.

Lagjja “2 Korriku”, shtëpia e Malsor Pecit gjatë vërshimeve

Ai përfundoi se banorët e kësaj shtëpie janë ndjerë keq emocionalisht sepse e njëjta situatë kishte ndodhur para dy viteve, mirëpo asokohe dëmet ishin më të vogla.

Shtëpia e Malsorit, sot

Familja e Azem Alilit hapi dyert për UBTNews, familje kjo që i përkiste komunitetit ashkali. Si të gjthë banorët e kësaj lagjeje edhe kjo familje kishte dëme materiale. Motra e kryefamiljarit shprehet se të gjitha këto dëme të cilat iu shkaktuan kryesisht te orenditë shtëpiake, në pamundësi riparimi, janë detyruar t’i hudhin.

Ngjashëm me parafolësit, ajo pohoi se ndihmat kryesisht ishin nga shoqatat humanitare (“Iniciativa” dhe “Bereqeti”) dhe jo nga shteti apo komuna.

Në lidhje me ndihmën e ofruar për këto familje, kompensimin e dëmeve të cilat arrijnë shumën prej mijëra eurove si dhe strehimin e familjeve që kanë pasur dëme ekstreme si pasojë e këtyre vërshimeve, komuna nuk ka pranuar të jep përgjigje.

Ndryshe, vërshime të mëdha sikurse në Mitrovicë pati edhe në komunën e Skenderajit.
Ndërsa vendet e tjera të prekura nga vërshimet ishin: Peja, Istogu dhe Drenasi./UBTNews/

(Arbnora Pllana dhe Florinda Kelmendi, studente të vitit të tretë në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT)

Exit mobile version