UBT News

Delegacioni i Kosovës në Strasburg: Sot diskutohet raporti për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga nënkryetarët Ardian Gola dhe Emilija Rexhepi, po merr pjesë në punimet e sesionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), i cili ka nisur sot në Strasburg dhe do të zgjasë deri më 24 prill.

Gjatë kësaj jave, përfaqësuesit e Kosovës do të jenë pjesë e sesioneve plenare, mbledhjeve të komiteteve dhe aktiviteteve të tjera ku do të trajtohen zhvillimet aktuale ndërkombëtare.

Pika qendrore e angazhimit të sotëm pritet të jetë debati mbi raportin për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Ky raport është hartuar nga delegacioni vëzhgues i APKE-së, i cili ka monitoruar procesin në dy faza: gjatë ditës së zgjedhjeve dhe përmes një misioni paszgjedhor.

“Sot, ditën e hënë, në kuadër të sesionit, pritet të zhvillohet edhe debati për raportin mbi vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Ky raport është përgatitur nga delegacioni vëzhgues i APKE-së, i cili ka zhvilluar dy misione vëzhguese”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Në këtë debat, nënkryetari i Kuvendit dhe kryesuesi i delegacionit, Ardian Gola, do t’u drejtohet anëtarëve të Asamblesë për të paraqitur vlerësimet zyrtare mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në vend.

“Në këtë debat, krahas folësve të tjerë, pritet që edhe nënkryetari Gola t’u drejtohet anëtarëve të asamblesë, duke paraqitur vlerësimet për procesin e fundit zgjedhor në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Sesioni i Strasburgut do të përfshijë gjithashtu adresime nga personalitete të larta shtetërore dhe diskutime mbi tema që prekin sigurinë dhe demokracinë në Evropë.

Exit mobile version