UBT News

​Del Piero kritikon Tudorin: Nuk ka ide të qarta në sulm

Ish-kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero, ka kritikuar hapur trajnerin Igor Tudor pas barazimit 0-0 ndaj Milanit në javën e 6-të të Serie A.

Del Piero u shpreh se skuadra e Tudor nuk ka identitet të qartë në lojë, veçanërisht në repartin ofensiv.

“Tudor nuk ka një ide të qartë se çfarë duhet të bëjë në sulm. I mungon identiteti dhe nuk ka asnjë sulmues të përshtatshëm për Juventusin sot.”, tha Del Piero.

Sipas tij, bardhezinjtë po vuajnë për kreativitet dhe shpejtësi në manovër. Ai veçoi Manuel Locatellin si të vetmin lojtar që përpiqet të japë ritëm në lojën e skuadrës.

“Juve ka vështirësi në ndërtimin e aksioneve. Vetëm Locatelli sjell shpejtësi, ndërsa sulmuesit rrallë kanë raste për gol.”, shtoi ish-sulmuesi.

Del Piero theksoi gjithashtu se rotacionet e shumta të Tudorit po e bëjnë skuadrën të humbasë identitetin.

“Nëse ndryshon shumë, i jep besim të gjithëve, por humbet identitetin tënd. Ekipi e njeh veten vetëm në formacionin bazë, që sot mungon.”, vazhdoi ai.

Në fund, Del Piero lavdëroi Milanin për afrimet e verës si Modric dhe Rabiot, duke theksuar se kuqezinjtë kanë krijuar më shumë personalitet dhe qetësi në lojë./S.K/KP/

Exit mobile version