UBT News

Dekretohen ligjet e seancave të fundit: Kosova zyrtarizon anëtarësimin në Bordin e Paqes

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka njoftuar këtë të premte dekretimin e një pakete ligjore, të cilën e ka cilësuar si mjaft domethënëse për qytetarët dhe forcimin e Republikës. Ndër aktet më të rëndësishme ligjore të nënshkruara është ai për ratifikimin e marrëveshjes që mundëson anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Haxhiu bëri të ditur se ligjet e reja prekin fusha vitale si banimi social, kujdesi shëndetësor, rregullimi i shtetësisë dhe shërbimet e pagesave. Po ashtu, dekreti përfshin rregullat për resurset ujore, maturën shtetërore, organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, si dhe marrëveshjet financiare me Bashkimin Evropian dhe Agjencinë Franceze për Zhvillim.

Anëtarësimi në Bordin e Paqes përbën një hap të veçantë diplomatik, pasi Kosova dhe Shqipëria janë të vetmet vende nga Ballkani Perëndimor që bëhen pjesë e këtij mekanizmi. Nga Bashkimi Evropian, kësaj nisme i janë bashkuar vetëm Hungaria dhe Bullgaria.

Ky bord, i cili është themeluar dhe do të udhëhiqet nga presidenti amerikan Donald Trump, ka si mision parësor mbikëqyrjen e zbatimit të planeve të paqes në zonat e prekura nga luftërat. Fokus i menjëhershëm i këtij mekanizmi do të jetë situata në Rripin e Gazës dhe projektet për rindërtimin e asaj zone.

Exit mobile version