Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka dekretuar sot 17 gjyqtarë me mandat fillestar, të cilët kanë dhënë betimin zyrtar për të shërbyer në sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës.
Gjatë kësaj ceremonie solemne, gjyqtarët e rinj u zotuan se do t’i qëndrojnë besnikë Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, duke premtuar se do ta ushtrojnë detyrën e tyre me integritet, profesionalizëm dhe paanshmëri të plotë.
Duke u uruar punë të mbarë në këtë përgjegjësi të madhe publike, ushtruesja e detyrës së presidentes theksoi faktin se vendimet e tyre do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe në besimin e tyre te drejtësia.
Ajo porositi të dekretuarit që në punën e tyre të përditshme të udhëhiqen vetëm nga parimet e larta juridike, duke thënë se “drejtësia duhet të mbështetet gjithmonë në ligj, në prova dhe në pavarësi të plotë”, shkruan Haxhiu.
Ky proces i dekretimit konsiderohet një hap i rëndësishëm për forcimin e sundimit të ligjit dhe rritjen e efikasitetit të sistemit gjyqësor në vend.
