UBT News

Deklarimi i pasurisë, Haxhiu blen banesë me kredi

Ushtruesja e detyrës së Presidentes dhe njëherësh kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu, ka bërë publike pasurinë e saj në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Sipas formularit të dorëzuar, gjatë vitit 2026 ajo ka blerë një banesë me sipërfaqe 128.74 metra katrorë, në vlerë prej 128,740 euro, e cila figuron si pronë e përbashkët. Kjo pasuri është siguruar përmes kredie bankare.

Në deklarim përfshihen edhe pasuri në emër të bashkëshortit: një banesë me vlerë 60 mijë euro dhe një parcelë toke prej 15 mijë euro.

Sa i përket pasurive të luajtshme, Haxhiu ka raportuar një veturë në vlerë 9,700 euro, gjithashtu në pronësi të përbashkët, si dhe para të gatshme në shumën prej 1,531 euro.

Në pjesën e detyrimeve financiare, ajo ka deklaruar një kredi prej 160 mijë euro, e marrë për blerjen e banesës. Po ashtu, figuron edhe një obligim financiar prej 1,100 euro në emër të bashkëshortit.

Të hyrat vjetore të saj përfshijnë pagën nga Kuvendi i Kosovës dhe Ministria e Drejtësisë në shumën 22,658 euro, mëditje prej 234 euro dhe 1,140 euro nga shtesa dhe kompensime të tjera.

Ndërkohë, bashkëshorti i saj ka deklaruar të ardhura prej 16,739 euro nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si dhe 1,747 euro mëditje nga udhëtimet jashtë vendit.

Pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmani më 4 prill 2026, Haxhiu mori përkohësisht detyrën e Presidentes. Ajo ishte zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës më 11 shkurt 2026.

Exit mobile version