Shumë prej nesh do të kenë përjetuar të paktën një herë në jetën e tyre, kur përballen me një vend ose situatë krejtësisht të re, ndjesinë sikur kanë qenë tashmë atje ose kanë jetuar tashmë në të. Kjo përvojë e veçantë e njohjes me të renë përkufizohet si déjà vu.
Por pse ndodh? Dhe çfarë do të thotë?
ORIGJINA
Termi “déjà vu” shfaqet për herë të parë në Francë, në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë, kur u shoqërua me habinë e lindur nga përvoja e rijetimit në të tashmen, të një fragmenti të një të shkuare jo të përcaktuar mirë nga kujtesa.
Por ky fenomen nuk është i ri. Shën Agustini flet për të në vitin 400 të erës sonë duke e përcaktuar si një “kurth të djallit”, diçka që do të çonte në vënien në dyshim të konceptit të jetës së përjetshme. Doktori i Kishës, i kushton vëmendje të veçantë kujtesës, duke e analizuar atë si një proces në të cilin ego kërkon identitetin e vet përmes saj dhe na nxit t’u rezistojmë fantazmave të prodhuara nga shqisat (déjà vu), të cilat ai i përkufizon si falsae memoriale. “Është një çështje e kujtimeve të rreme, të ngjashme me ato që ndejmë në gjumë […] dhe ndodh që afeksione të ngjashme prodhohen gjithmonë edhe në shpirtin e njerëzve që janë zgjuar, nën ndikimin e shpirtrave të këqij dhe mashtrues … ».
Shumë shekuj më herët, Aristoteli (384-322 para Krishtit) e kishte trajtuar tashmë temën në “De memoria et reminiscentia”, duke iu referuar konfuzionit që gjeneron kujtesa dhe objekti i kujtuar, duke pohuar se është më shumë çmenduri sesa urtësi metafizike.
I pari që shpiku termin déjà vu, siç u përmend më lart, ishte psikologu francez Émile Boirac, në librin e tij “L’Avenir des sciences psychiques” të vitit 1876. Boirac krijoi gjithashtu një fjalë të dytë, “metagnomia” duke bashkuar dy fjalë greke, (përtej) dhe (njohuri), duke e bërë atë sinonim me njohuritë e marra jashtë shqisave, të njohura zakonisht si perceptim jashtëshqisor.
Fenomeni i déjà vu-së nuk mund të mos analizohej nga babai i psikanalizës, Sigmund Freud, i cili e përkufizoi atë si një shprehje të një fantazie të vërtetë, të rrënjosur në të pandërgjegjshmen; fantazi që, duke qenë në gjendje të shkaktojë një ndikim emocional shumë të fortë dhe të dhimbshëm, eleminohet nga ndërgjegjja, por rishfaqet në déjà vu në formën e një kujtimi të shkurtër.
Nëse Freudi i referohej në këtë mënyrë kujtesës afatgjatë, “kolegu” i tij Carl Gustav Jung, (i cili kishte përjetuar vetë déjà vu gjatë një udhëtimi në Kenia dhe Ugandë) shkoi edhe më tej në kohë, duke iu referuar veçanërisht kujtimit të paraqitjes së déjà vu-së, si një ndryshim i pavetëdijes kolektive.
Filozofi Niçe e konsideroi “Kthimi i Përjetshëm i të Njëjtës”, që do të thotë se ajo që ekziston, ndodh dhe përsëritet pafundësisht pas një udhëtimi të gjatë nëpër histori.
Vetëm në shekullin e kaluar, déjà vu ka parë mbi 40 spekulime dhe interpretime të ndryshme që lëvizin midis shkencës dhe psikologjisë, midis filozofisë dhe poezisë, midis paranormales dhe transcendentales. Edhe sot, pavarësisht se kemi mjete moderne për të studiuar funksionimin e trurit, nuk ka qenë e mundur të gjendet një teori e vetme ose disa teori sinergjike që shpjegojnë fenomenin. Shkurt, shkaqet e déjà vu-së nuk janë ende të qarta dhe as nuk mund të demonstrohen lehtësisht.
KËRKIMI I KOHËS SË HUMBUR
Le të fillojmë nga përkufizimi i déjà vu-së, duke u përpjekur të përshkruajmë përvojën. Ne jemi duke vizituar, ndoshta jemi me pushime, një vend ku nuk kemi qenë kurrë ose ndodhemi në një shtëpi të pa parë, për shembull për inaugurimin e banesës së një miku, kur befas, për pak sekonda, na përshkon një ndjesi që nuk mund të shpjegohet me fjalë të tjera, përveçse me sa vijon: “Unë tashmë e kam jetuar këtë moment!”. Vetëdija se njohja me atë situatë nuk mund të jetë rezultat i një përvoje në të kaluarën, është e kotë.
Kush ka përjetuar déjà vu-në, e di se çdo grimcë e trupit dhe mendjes përshkohet nga bindja e diçkaje tashmë të parë, të ndjerë, të përjetuar. Por kur? Ne jemi të bindur se “kur” është, në rrugën lineare të kohës, e vendosur në të kaluarën.
Dhe mendimi që pason, për shumicën prej nesh, është i lidhur me diçka që i ngjan një “kujtimi të paregjistruar”. Prandaj, ne fillojmë një kërkim për atë që na ka kthyer në të kaluarën. Një letër-muri e ngjashme me atë që kishim në shtëpinë ku jetonim si fëmijë? Një rrugë që me siguri ngjan me atë që kemi mësuar diku tjetër? Prandaj, shumë do të kërkojnë një “kontakt” kujtese me të kaluarën. Në shumicën e rasteve, megjithatë, kjo lidhje nuk ekziston ose nuk mund të gjendet… Të tjerë, nga ana tjetër, do të binden se kanë përjetuar një fenomen të mbinatyrshëm, duke ecur përpara në kohë, drejt së ardhmes, duke besuar kështu se kanë perceptuar diçka që do të ndodhë më vonë, duke përcaktuar ndjesinë e çuditshme të përjetuar gjatë dejà vu-së si parashikuese.
Por a i ndodh të gjithëve déjà vu? Jo, jo të gjithëve, por shumë njerëzve. Është vlerësuar se rreth 80% e popullsisë së botës e ka provuar të paktën një herë në jetën e vet. Dhe se në këtë përqindje përjashtohen fëmijët dhe të moshuarit, me një preferencë për moshat që variojnë nga 15 deri në 25 vjeç, në të cilat numri më i madh i episodeve të sindromës, të cilat ndodhin në momente të rastësishme dhe nuk shoqërohen me asgjë kuptimplote. Nga ana tjetër, këto vlerësime nuk llogaritin ata që përjetojnë déjà vu si pasojë e një patologjie që zakonisht shoqërohet me epilepsi, skizofreni dhe madje edhe çrregullime ankthi, raste në të cilat “sulmet” e sëmundjes zakonisht ndodhin duke përkuar me episodin e déjà vu-së.
PERCEPTIMI I KOHËS
Por le të bëjmë një hap prapa dhe të përpiqemi të analizojmë më mirë konceptin e kohës, pikërisht sepse pyetja e atyre që e kanë përjetuar këtë fenomen bazohet në ndjesinë e një humbjeje, pikërisht, të orientimit, në vijën kohore. Ky dallim mes të tashmes, së shkuarës dhe së ardhmes na tregon gjithashtu se një fëmijë, për shembull, është rritur. Në fakt, nuhatja e një para dhe një pas është një nga detyrat më të vështira me të cilat duhet të përballet një fëmijë. Fëmija arrin të konceptojë sensin e kohës vetëm në fazën e zhvillimit, sipas pedagogjisë, nga shtatë deri në dymbëdhjetë vjeç.
Duke e thjeshtuar, mund të themi se zonat e trurit në këtë rast specifik përgjegjëse për kujtesën dhe perceptimin e kohës (hipokampus), tek fëmija i vogël ende nuk janë pjekur. Gjatë fëmijërisë, koha nuk ka kohë, para dhe pas përzihen, derisa të përfundojë procesi i formimit të hipokampusit. A mund të jetë kjo arsyeja pse déjà vu nuk ndodh tek fëmijët? Mundet, nëse do të lidhej ekskluzivisht me një “mosfunksionim” shumë të shkurtër të orientimit kohor.
Dhe nëse po, nëse do të ishte vërtet një “kontroll” të trurit tonë, një lloj kontrolli i funksionalitetit të tij, një verifikim midis ndjenjës së familjaritetit që ndihet dhe një “rikthimi” të saktë të kujtesës së të kaluarës, pse atëherë tek të moshuarit, tek të cilët ecuria e moshës shfaq vështirësi më të mëdha për të mbajtur të qëndrueshme kujtesën, nuk shfaqet dejà vu? Dhe pse disa njerëz nuk e përjetojnë kurrë atë në jetë? Ndoshta është një tregues i funksionit të tyre të përsosur të trurit? Ende nuk ka përgjigje për këto pyetje. Do të shohim më vonë se çfarë na thonë studimet më të fundit.
Ashtu si fëmija mëson të perceptojë kohën dhe të ndihet i futur saktë brenda saj, mund të supozohet se në fillim truri ynë duhej të bënte një përpjekje të madhe në nivelin evolucionar për të ruajtur kujtesën. Njeriu primitiv mund të kishte përjetuar, gjatë evolucionit të tij, ndjesi të vazhdueshme të ngjashme me déjà vu-në, sikur vetë déjà vu të ishte një enë e parë e kujtesës.
Ky evolucion përfshin jo vetëm atë neuro-biologjik, por edhe atë kulturor. Për ne është e natyrshme të ndajmë të tashmen, të shkuarën dhe të ardhmen, por për njeriun nuk ka qenë gjithmonë kështu. Dhe është pikërisht lëshimi dhe mbivendosja e këtyre tre dimensioneve që gjeneron déjà vu-në. Për shumicën e psikologëve, në fakt, déjà vu ka të bëjë me një problem të rrjetit asociativ të kujtimeve, në kujtesën afatgjatë.
Si të thuash se ajo rrugë, aq e njohur për ne, por që nuk e gjejmë dot ndër kujtimet e së shkuarës, ekziston në të vërtetë në kujtesën tonë dhe, thënë në stilin e Frojdit, ka qenë “hequr”. Por duke qenë se grupmosha më e prekur nga sindroma déjà vu është ajo pas adoleshencës, nuk do të ishte më e saktë të flitej edhe për emocione, ndjesi ekskluzive, atraksione të veçanta në të cilat vetë ngjarja nuk është e lidhur në mënyrë unike me kujtesën, por gjithashtu vetëm prej një përzgjedhjeje shqisore ekskluzive?
Njeriu, përballë risisë (ngjarja e déjà vu-së, dështimi për të kujtuar) duhet të ndjehet i alarmuar, duhet të mbrohet, ashtu si “natyrshëm” është shtyrë të largohet nga rreziku, nga një i huaj. Megjithatë, ai ndjen një ndjenjë familjariteti me atë që përjeton dhe e percepton si të re. Për këtë arsye, kërkimet janë zhvendosur edhe në një anë tjetër, atë emocionale, në të cilën diversiteti nuk paraqet rrezik, por tërheqje.
STUDIMET AKTUALE
Matja, riprodhimi dhe verifikimi i fenomenit të déjà vu në persona të shëndetshëm, për shkak të paparashikueshmërisë së ngjarjes, krejtësisht aksidentale, nuk ka qenë i mundur në realitet. Prandaj, në mënyra të ndryshme në varësi të hulumtimit, ishte e nevojshme të riprodhohej në laborator me anë të llojeve të ndryshme të testeve.
AKIRA O’CONNOR
Në vitin 2016, ekipi skocez i profesor O’Connor u përpoq të riprodhonte fenomenin e déjà vu-së në laborator. Procedura e përdorur përdori testin DRM (Deese-Roediger-McDermott) që përdoret për të “demaskuar” kujtimet e rreme duke përdorur stimuj të ngjashëm semantikë që përfundimisht konvergojnë në një fjalë të vetme. Njëzet e një vullnetarë, të cilët kishin deklaruar se kishin të paktën një déjà vu, dëgjuan dhe studiuan një listë fjalësh (p.sh.: pushim, shtrat, çarçafë, jastëk, natë) që semantikisht i referohen një fjale tjetër, me funksionin e “karremit”, i cili nuk riprodhohej në listë (për shembull: gjumi). Kur fjala “gjumë” shqiptohet më pas, në përgjithësi shkakton një ndjenjë të njohur. Kjo është déjà vu e riprodhuar në laborator.
Testi vijon më pas me një hetim të mëtejshëm që iu bë pjesëmarrësve, të cilët, të vetëdijshëm se në listën e studiuar nuk kishte as një asonancë të ngjashme me “fjalën karrem fjalës”, kuptonin se me të vërtetë fjala “gjumë” ishte një gjë e re. Por zbulimi më i rëndësishëm erdhi vetëm pasi 21 vullnetarët kryen imazhe funksionale të rezonancës magnetike (MRI).
Nëse para këtij hulumtimi, studiuesit e fenomenit ishin në një mendje në hipotezën se déjà vu duhej të kishte të bënte me kujtesën, dmth me një aktivizim të hipokampusit (zona e trurit përgjegjëse për menaxhimin e kujtesës), të dhënat e marra nga rezonanca treguan aktivizimin e zonave ballore, të cilat janë zona të trurit të përfshira në proceset vendim-marrëse, si dhe modulimi i gabimeve.
ANE KLERI
Profesorja e psikologjisë Cleary përdori një lojë video simuluese të jetës reale të njohur si The Sims për të riprodhuar ndjenjën e déjà vu. Studiuesja i shtyu vullnetarët/lojtarët e saj për të hyrë në një mjedis virtual me syze për shikim 3D, duke u ofruar atyre një sërë ambientesh dhe dhomash të ndërtuara secila në një mënyrë të ndryshme, si dhoma e pritjes së mjekut, një shteg bowling, një dyqan. Në fazën e dytë të eksperimentit, subjektet u futën në një seri të re hapësirash: disa ishin krejtësisht të reja, por të tjerat, megjithëse “semantikisht” të ndryshme, ishin projektuar me paraqitje të ngjashme me ato të mjediseve të fazës së parë.
Për shembull, rrugica e bowlingut e parë në fazën e parë i ngjante stacionit të metrosë në fazën e dytë. Për secilin nga mjediset e fazës së dytë, pjesëmarrësve iu drejtuan një sërë pyetjesh, të tilla si nëse ata kishin qenë ndonjëherë në atë skenë më parë ose nëse po përjetonin ndjenja dejà vu. Në ngjashmërinë hapësinore të mjediseve, personat që kishin harruar se kishin qenë më parë në një vend të ngjashëm shfaqën ndjesinë e déjà vu-së. Si përfundim, ajo që Cleary ishte në gjendje të tregonte pas hulumtimit të saj e quan “ndjesia” e provuar. Në thelb është ndjesia e të qenit në një vend të ngjashëm pa vetëdijen se ke qenë me të vërtetë atje, gjë që gjeneron déjà vu. “Ne mendojmë se kemi akses në ndjesi, por jo shumë,” raporton Anne Cleary.
CNR NE CATANZARO:
Në vitin 2015, studiues nga Instituti i Bioimazherisë dhe Fiziologjisë Molekulare të Cnr të Catanzaro, në bashkëpunim me Institutin e Neurologjisë të Universitetit Magna Graecia, të udhëhequr nga Angelo Labate, analizuan trurin e njerëzve me një formë të veçantë epilepsie, që ka déjà vu si manifestim kryesor i tij dhe të njerëzve të shëndetshëm. “Ne kemi kërkuar – shpjegon ai – një bazë të përbashkët anatomike-fiziologjike në gjenezën e déjà vu-së midis subjekteve të shëndetshme dhe pacientëve, e cila mund të shpjegojë bazën e një dukurie psikike, e cila, në disa rrethana, bëhet patologjike.
63 persona me epilepsi të përkohshme (gjysma e të cilëve pa manifestime të déjà vu-së) dhe 39 persona të shëndetshëm (22 prej të cilëve me përvojë të mëparshme të déjà vu-së) u ekzaminuan, përmes një depistimi për të favorizuar fillimin e fenomenit në laborator (Test IDEA – Inventari për Vlerësimin e Eksperiencës Déjà vu), një elektroencefalogram dhe një teknikë e avancuar neuorimazherie. Të dhënat që dolën tregojnë se te personat epileptike zonat që aktivizohen në tru janë ato temporale dhe ato të hipokampusit (të implikuara, le të kujtojmë, në kujtesën afatgjatë).
Prandaj, për pacientët me epilepsi do të ishte një gabim i vërtetë i sistemit të “kujtesës”, një kujtesë e rreme. Në subjekte të shëndetshme, në vend të kësaj aktivizohet një zonë tjetër e trurit, korteksi izolues, duke vënë në dukje anomalitë morfologjike në pjesën e përparme izoluese. Ky rajon i trurit tonë rregullon proceset emocionale, si një lloj lidhjeje midis informacionit që vjen nga trupi dhe ndjesive të ndërgjegjshme që burojnë nga përvoja e déjà vu-së, si një lloj “mashtrimi emocional”. Prandaj, do të ishin emocionet, të lidhura me përvojat e jetuara tashmë në të kaluarën, ato që përcaktojnë reagimin e çuditsshëm të gjësë së parë tashmë.
Rruga për të kuptuar këtë “flash kujtese” të fjetur në kush e di se çfarë vendi në trurin tonë, ose ndjesinë magjike të së kaluarës, atë ndjenjë familjariteti që na përshkon befas, duke na dhënë iluzionin e vërtetë të asaj që tashmë është parë, është ende gjatë. Por magjia për të “rijetuar” në të tashmen, diçka nga e kaluara, mbetet një shenjë e pashlyeshme për ata që e kanë jetuar. / Bota.al