Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, njëherësh kryesues i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ka reaguar lidhur me bllokadën dhe gjendjen aktuale politike në vend, duke bërë thirrje për arritjen e një marrëveshjeje politike ndërmjet subjekteve parlamentare.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Dehari ka ngritur shqetësimin se një pjesë e opozitës po shmang me qëllim marrëveshjen për t’i çuar proceset drejt përplasjeve.
“Ka jo pak deputetë opozitarë që nuk duan kurrfarë marrëveshje politike për konstituim të institucioneve, dhe që duan incidente fizike në seancën konstituive”, shkruan Dehari në postimin e tij.
Kryesuesi i seancës ka nëvizuar se dështimi për të gjetur gjuhë të përbashkët do ta çojë vendin drejt një procesi të panevojshëm zgjedhor, çka sipas tij bie ndesh me interesin e qytetarëve dhe kërkesat kushtetuese.
“Pa marrëveshje politike pashmangshëm shkojmë në zgjedhje të reja, të përsëritura, të panevojshme, të dëmshme. Duhet të arrihet marrëveshja politike. Këtë e kërkon Kushtetuta e Republikës dhe Gjykata Kushtetuese, këtë e pret populli i Kosovës dhe e ardhmja jonë.”
Deklarata e Deharit vjen në një kohë kur konstituimi i plotë i Kuvendit ende nuk ka ndodhur dhe ka kaluar afatin kushtetues, gjë që ka lënë peng formimin e institucioneve të reja.
Në këtë reagim nuk Dehari nuk ka dhënë sinjal se kur do të jetë seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. /E.A /
