Të gjithë minatorët që mbetën të bllokuar mbrëmjen e së mërkurës në minierën e Trepçës tashmë janë nxjerrë jashtë.
Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Trepçës, Shyqyri Sadiku, i cili bëri të ditur se të gjithë minatorët janë në gjendje të mirë shëndetësore.
“Po, të gjithë kanë dalë, me shëndet janë mirë”, ka shkurt Sadiku.
Pas orëve të tëra në minierën e Trepçës, nxirren në sipërfaqe pothuajse të gjithë minatorët e bllokuar
Rreth 63 minatorë të ndërrimit të dytë kanë mbetur të ngujuar mbrëmjen e së mërkurës në horizontet 8, 9, 10 dhe 11 të minierës së Trepçës, si pasojë e djegies së një trafoje të energjisë elektrike në Tunelin e Parë. Ky defekt shkaktoi ndërprerjen e rrymës, shpërthimin e një zjarri në trafostacion dhe bllokimin e liftit kryesor transportues.
Menjëherë pas incidentit, në vendngjarje kanë mbërritur menaxhmenti i minierës, Policia e Kosovës dhe ekipet e zjarrfikësve, të cilët punuan pa ndërprerje deri në orët e vona të pasmesnatës për fikjen e zjarrit dhe nxjerrjen e sigurt të punëtorëve. Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Januzi, bënë të ditur se është organizuar dalja graduale e tyre përmes rrugëve alternative dhe daljeve emergjente. Komunikimi me minatorët e bllokuar është mbajtur vazhdimisht përmes telefonave induktivë.
Procesi i evakuimit ka vazhduar gjatë gjithë natës, ku deri rreth orës 03:00 të mëngjesit shumica e minatorëve kanë arritur të dalin në sipërfaqe. Ndërkohë, sipas Urall Boshnjakut nga vendngjarja, në ato orë kishin mbetur pa u nxjerrë edhe rreth pesë minatorë, kryesisht ata me probleme më të rënda shëndetësore apo lëndime fizike, siç ishte rasti i një punëtori me problem në këmbë që i vështirësonte lëvizjen.
Gjendja e përgjithshme e minatorëve raportohet të jetë stabile, ndërsa ekipet teknike po punojnë për sanimin e plotë të defektit. Nga ana tjetër, kryesindikalisti Januzi ka kritikuar ashpër kushtet e punës, duke theksuar se mungesa e investimeve kapitale, trafostacionet e stërvjetëruara dhe mungesa e një linje alternative rezervë po e përsërisin këtë problem dhe po e vënë vazhdimisht në rrezik sigurinë dhe jetën e minatorëve. /Ekonomia Online/
