Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka shpjeguar pse ishte mirë për të gjithë fakti që Lionel Messi nuk u rikthye tek blaugranasit në vitin 2023.
Pas largimit të Messit nga Paris Saint-Germaini, argjentinasi ishte lidhur me një rikthim tek Barcelona në verë 2023.
Të dyja palët ishin të etur për një ribashkim, pasi ndanë rrugët në mënyrë emocionale në vitin 2021, por Deco ka thënë se ishte më e mira që Messi nuk u rikthye, pasi presioni tek blaugranasit do të kishte qenë i tepërt.
“Ai mund të ketë dashur të shkojë tek Miami. Pas Parisit, gjëja më e rëndësishme për të ishte ta gjente veten sërish dhe të ishte i lumtur”. “Ndoshta kjo nuk do të kishte ndodhur tek Barcelona, sepse presioni do të kishte qenë i tepërt”.
“Mendoj se ishte mirë për të gjithë. Barcelona vazhdoi në rrugëtimin e saj, duke u munduar ta rindërtojë vetveten dhe Messi vazhdoi rrugëtimin e tij, duke shënuar gola dhe duke qenë i lumtur”, ka thënë Deco.
Messi u transferua tek Inter Miami më vonë gjatë atij viti dhe lëvizja doli të ishte e qëlluar.
Ylli argjentinas që u lidh me një rikthim tek Barcelona sërish këtë vit, tani po përgatitet për Kupën e Botës për Klube.
Inter Miami do të ballafaqohet me Al Ahly, Porto dhe Palmeiras në fazën e grupeve të këtij kompeticioni.