Skuadra e Gjilanit prezantoi të premten Debatik Currin si trajnerin e ri, i cili do të qëndrojë në krye të ekipit deri në përfundim të sezonit.
Curri merr postin pas largimit të Ardian Nuhiut, i cili sipas klubit u nda nga Gjilani më 29 shtator me marrëveshje të dyanshme pas rezultateve jo të kënaqshme.
Nën drejtimin e Nuhiut në shtatë xhirot e para, Gjilani regjistroi katër humbje, dy fitore dhe një barazim, duke u renditur në vendin e shtatë me shtatë pikë. Në xhiron e kaluar, gjatë humbjes 2:1 në derbin ndaj Dritës, ekipin e drejtoi Orhan Abdi.
Debatik Curri ishte i papunë që nga 26 tetori 2023, kur u largua nga Prishtina pas një marrëveshjeje të dyanshme.
41-vjeçari e kishte udhëhequr Prishtinën drejt triumfit në Kupën e Kosovës dhe drejtoi ekipin në 27 ndeshje zyrtare, me 11 fitore, 11 barazime dhe 5 humbje. Shkëputja me Prishtinën erdhi gjithashtu për shkak të rezultateve jo të mira.
Si futbollist, Curri ka pasur karrierë të pasur, duke luajtur për klube si Prishtina, Vorskla Poltava, Gençlerbirliği, Hoverla Uzhhorod, Sevastopol, Tirana dhe Flamurtari. Me përfaqësuesen e Shqipërisë, ai zhvilloi 44 ndeshje dhe shënoi një gol. /A.Z/UBT News/