Çështja e ndarjes së pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik ka shkaktuar diskutime midis ministrit të Financave, Hekuran Murati, dhe deputetit të AAK-së, Besnik Tahiri. Ky i fundit ka kërkuar llogari nga ministri se përse kjo mbështetje po mungon për punëtorët e sektorit privat, duke kërkuar masa konkrete për këtë kategori.
Ministri Murati u mbrojt duke listuar ndihmat e deritanishme dhe sugjeroi që detyrimi për sektorin privat mund të rregullohet vetëm përmes ndryshimeve ligjore.
“Ne kemi ndarë 70 milionë euro në dhjetor të vitit të kaluar janë dhënë si pagese e njëhershme prej 100 eurosh. Tashmë çdo vit jepen 200 milionë euro për lehonat dhe fëmijë. Ka pasur rritje të pagës minimale. Sa i përket pagës së 13 i kemi dhënë ato paga sepse ne jemi punëdhënësi për sektorin publik. Nëse ju mendoni qe edhe sektori privat duhet ta bëjë një gjë të tillë këtë ndoshta mund ta amandamentojmë me ligj. Nëse mendoni se duhet të bëhet obligative me ligj jemi të hapur ta bëjmë një gjë të tillë”, deklaroi Murati.
Nga ana tjetër, Besnik Tahiri e ka cilësuar këtë përgjigje si shmangie nga realiteti, duke theksuar se mbështetja për kategoritë e tjera nuk mund të ngatërrohet me nevojat e punëtorëve aktivë në sektorin privat.
“Pashë zotin a e dëgjuat ministrin çka tha, tha pensionistëve u kemi dhënë mbështetje, pensionistëve, lehonave, ata s’janë në punë, kjo e ka emrin skemë sociale. Jemi për mbështetje të tyre. Fëmija 13 vjet nuk punon. Të fola shqip, thashë ja ke dhënë 65 milionë për pagën e 13, çka ke bërë për sektorin privat, për atë që është në skele, gratë në supermarkete, për gazetarët”, reagoi Tahiri.
