Roma siguroi me lehtësi një biletë për në çerekfinale të Europa League mbrëmjen e së enjtes, me trajnerin Daniele De Rossi, i cili njëkohësisht është njeriu i momentit në Itali pas paraqitjeve fantastike të skuadrës kryeqytetase deri më tani.
De Rossi ishte shumë i lumtur pas kualifikimit ndaj Brightonit, teksa u shpreh: “Urimet u takojnë djemve që bënë pjesën më të madhe të punës në ndeshjen e parë. Zhvilluam një sfidë ku ishim të vëmendshëm dhe treguam personalitet. Ne mund të kishim bërë më mirë nëse do të përfitonim nga kundërsulmet, por në vend të kësaj ne luajtëm me topa të gjatë”.
Po ashtu, trajneri 40-vjeçar foli edhe për shortin e së premtes në Europa League, ku Roma mund të gjejë kundërshtarë si: Milan, Liverpool, apo Bayer Leverkusen.
“Tashmë kemi pasur dy ndeshje të vështira dhe jemi gati të përballemi me të gjithë. Askush nuk do të jetë i lumtur të përballet me Romën”, përfundoi tekniku italian./UBTNews/