Kombëtarja e Spanjës ka publikuar listën e lojtarëve për ndeshjet e fundit ndërkombëtare të vitit 2024, ku do të përballet me Danimarkën dhe Zvicrën në kuadër të Ligës së Kombeve. Përkundër faktit se Spanja e ka siguruar kualifikimin në fazën tjetër të garës, trajneri Luis de la Fuente kërkon të konfirmojë pozicionin e parë në grup për të përfunduar fazën grupore me sukses të plotë.
Në listën e publikuar, De La Fuente ka përfshirë disa emra të rinj, që do të kenë shansin e tyre të parë për të përfaqësuar Spanjën në nivele të larta. Marc Casado nga Barcelona, Aitor Paredes i Athletic Bilbaos dhe Samu Omorodion i Portos janë ftuar për herë të parë në skuadër, duke sjellë një frymë të re në ekipin spanjoll.
Kapiteni Alvaro Morata, edhe pse pësoi një dëmtim në kokë gjatë stërvitjes së Milanit këtë javë, është gjithashtu përfshirë në skuadër, një tregues ky i rëndësisë dhe përvojës së tij për ekipin. Megjithatë, mungesa e lojtarëve të Real Madridit është veçanërisht e vërejtshme në këtë përzgjedhje. Dani Carvajal është lënë jashtë listës për shkak të një lëndimi, duke lënë kështu skuadrën spanjolle për herë të parë pas një kohe të gjatë pa asnjë përfaqësues të Real Madridit.
Në përbërje nuk mungojnë emrat e zakonshëm të yjeve si Aymeric Laporte, Fabian Ruiz, Pedri, Dani Olmo, Lamine Yamal, dhe Nico Williams, të cilët pritet të kontribuojnë në mënyrë të rëndësishme në ndeshjet e ardhshme për ta përmbyllur vitin me sukses./UBTNews/