UBT News

De Bruyne: Nuk mund të festoja shkaku i Eriksen

Kevin De Bruyne është rikthyer dhe udhëhoqi Belgjikën drejt fitores dhe kualifikimit në 1/8-at e “Euro 2020”.

Ai hyri në fushë në fillim të pjesës së dytë, dhe nxori Thorgan Hazard para portës për golin e 1-1, dhe e bëri me një pasim që pak lojtarë mund t’ja lejojnë vetes, dhe pastaj shënoi personalisht golin e përmbysjes 2-1 ndaj Danimarkës me një të majtë të bukur. Gjithsesi ende ka hije dyshimi për gjendjen e tij fizike.

Lojtari i Manchester City, ende nuk është shëruar krejtësisht nga dëmtimi që pësoi në finalen e Champions, përballjen me Rudiger që i shkaktoi dy fraktura në fytyrë duke e detyruar ti nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale.

“Ende nuk jam krejtësisht në rregull, pasi vij pas disa javësh me oshilacione. Në anën e majtë të fytyrës nuk ndiej asgjë. Është sikur të kisha bërë anestezi te dentisti. Aty nervi im është dëmtuar rëndë, më kanë thënë se do të duhen edhe 6 muaj që të rikthehet në normalitet. Ndonjëherë në duele kam ende frimë të fus kokën, por kjo është e kuptueshme”.

Në Kopenhagen Kevin gjithsesi luajti pa asnjë maskë mbrojtëse. De Bruyne më pas shpjegoi se përse nuk festoi si zakonisht pas golit.

“Për respekt të Eriksen. Nuk ishte e përshtatshme të festoje. Të gjithë ishim zhytur një një situatë të cuditshme emocionale”.

Në fund edhe një koment në lidhje me ndeshjen dhe kontributin e tij për Belgjikën.

“Trajneri më futi në fushë për të krijuar hapësira dhe për ti dhënë impuls lojës, dhe besoj se këtë bëra”, tha ylli belg, Kevin De Bruyne.

Exit mobile version